Arbëri

Kuvendi i kërkon shefit të ri të AKI-së të mos jetë në shërbim të partive

Descriptive Text

​Shefi i ri i AKI-së, Driton Gashi është përballur për herë të parë me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ai sot ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, pas rreth një muaji që kur mori drejtimin e inteligjencës.

Pas përfundimit të raportimit, kryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala tha se raportimi i Gashit ishte më shumë njoftues për gjendjen që e ka gjet ai AKI-në, strategjinë e tij rreth zhvillimit të këtij institucioni dhe sfidave që e presin.

“AKI-ja është mirë, është duke punuar sistemi i komunikimit i informimit, shpërndarja e informatave, mbledhja e informatave. Ajo që më kënaqi ishte deklarata e drejtorit se ka gjetur një institucion më të mirë sesa që e ka menduar ai nga jashtë, kjo është me rëndësi, tash pritet të shihet se si do t’i qaset ai, deri më tani edhe ai është njoftuar, ka filluar vizitat nëpër rajone dhe më gjerë, mbetet të shihet deri në raportimin e ardhshëm me disa sfida dhe probleme të cilat kanë ndodhur”, tha Shala.

Por kreu i inteligjencës nuk ka shpëtuar pa u pyetur edhe për të kaluarën e tij politike dhe mbylljen e një aktakuze vetëm një javë para se ta merrte drejtimin e AKI-së.

Shala tha se Gashi ka shpjeguar gjithë situatën rreth aktakuzës që ka pasur, duke thënë se prokuroria e ka mbyllur këtë rast në mungesë të provave.

“Po është pyetur nga deputetët lidhur me aktakuzën ndaj tij, ai e ka edhe certifikatën e verifikimit, jo që e ka marrë tani por e ka pasur me herët si sekretar që ka qenë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, një certifikatë të nivelit me të lartë të sigurisë. Sa për aktakuzë, është ajo në të cilën e ka paditur një zyrtar i Ministrisë së Brendshme gjoja që i ka bërë diçka të padrejtë edhe për këtë arsye, në mungesë të fakteve nga Prokuroria është mbyllur ai rast, ky është opinioni ose ajo që e thotë ai”, theksoi ai.

Driton Gashi pasi mori drejtimin e AKI-së, u raportua se ai ishte person politik, meqë dikur kishte punuar si këshilltar në grupin parlamentar të PDK-së dhe këshilltar i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.

Por Shala tha se nuk ka rëndësi fort nëse ka simpatizu një parti politike, porse nga Gashi kanë kërkuar që të mos punojë në favor të një partie politike.

“E kemi pyetur edhe për këtë, e ka pyetur përfaqësuesja e Vetëvendosjes, sepse ky ka qenë, nuk ka qenë në struktura, por është simpatizant edhe çdokush mund të jetë simpatizant i ndonjërës prej partive politike... Çdo kush diku punon, edhe dikë e simpatizon, ajo që kemi kërkuar nga drejtori i AKI-së është që të mos jetë në shërbim të partive politike, institucioni që e udhëheq është jashtëzakonisht i ndjeshëm edhe besoj që me përvojën e tij që e ka pasur në ministri sot ë jetë korrekt rreth punës që do ta bëj në AKI”, shtoi Shala, përcjell ksp.

Drejtori i AKI-së, menjëherë pas ardhjes së tij ka marrë vendim për hedhjen poshtë të vendimit për pezullimin e departamentit të sigurisë, duke e rikthyer punën e këtij departamenti, që sipas Shalës ka qenë pengesë për pjesëtarët e FSK-së, të cilëve iu është dashur certifikata e sigurisë për të marrë pjesë në trajnime në shkollat e NATO-së në Evropë.

Shala ka folur edhe për takimin me kryeministrin që do ta kenë për të diskutuar rreth auditorit të brendshëm të AKI-së.

Derisa ka premtuar se shumë shpejt do të japë informacione të sakta rreth dorëheqjes së ish-drejtorit të AKI-së, Agron Selimaj.