Arbëri

Kosova shënon rritje në eksport për rreth 26% në raport me periudhën e njëjtë 2016

Descriptive Text

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor 2017.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 0.3% në muajin qershor 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 217,5 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 216,8 milionë Euro në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 14.9%.

Eksporti i mallrave në muajin qershor 2017 kishte vlerën 38,1 milionë Euro, ndërsa importi 255,7 milionë Euro, ku është një rritje prej 25.9% për eksport dhe 3.4% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.1% të eksporteve e përbëjnë produktet minerale; 25.9% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 7.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.9% e përbëjnë produktet bimore; 3.1% e përbëjnë lëkura dhe artikuj prej saj; 2.0% e përbëjnë tekstil dhe artikuj prej tij etj”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.5% të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.0% e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.5% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 4.5% e përbëjnë produktet bimore, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 11,5 milionë Euro, ose rreth 30.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 77.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Austria (11.3%), Gjermania (3.9%), Danimarka (2.9%), Holanda (2.8%), Bulgaria (2.4%).

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 109,4 milionë Euro, ose 42.8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.8%), Greqia (6.0%), Italia (5.7%), Polonia (3.0%), etj.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin qershor 2017, arritën në 18,9 milionë Euro, ose 49.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19.4%.

Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Serbia (19.5%), Shqipëria (13.2%), Maqedonia (11.1%) dhe Mali i Zi (4.1%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin qershor 2017, arritën në 71,6 milionë Euro, ose 28.0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.0%. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.1%), Maqedonia (5.8%), Shqipëria (5.2%) dhe Bosnje e Hercegovina (2.4%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7,7 milionë Euro, ose 20.2%. Kurse, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: India (9.3%) dhe Zvicra (5.4%).

Ndërkaq, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 74,5 milionë Euro, ose 29.2%. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.8%) dhe Turqia (9.7%).

Për më shumë informata, lidhur me Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin qershor 2017, vizitoni KËTË LINK.