Arbëri

Nis pagesa e subvencioneve për kulturat bujqësore, do të ndahen mbi 5 milionë euro

Descriptive Text

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka njoftuar të martën, se ka filluar procedimin e pagesave për përfituesit e subvencioneve në kuadër të Programit për Pagesa Direkte 2022 për çdo kulturë bujqësore.

Vlera e proceduar për pagesë është 5,161,966.81 euro, ndërsa numri i bujqve që do t’i përfitojnë këto mjete deri më tash është 3.901.

“Duke qenë se afati për sasinë e dorëzuar të grurit është data 2 shtator, edhe pagesën për sasinë e dorëzuar të grurit në vlerën 0.03 €/kg MBPZHR – AZHB do ta bëjë pas kësaj date si pagesë e veçantë për të gjithë aplikuesit e grurit që dëshmojnë sasinë e dorëzuar të grurit duke u bazuar në kriteret e parapara me Programin e Pagesave Direkte 2022, konkretisht Udhëzimin Administrativ Nr.02/2022, pas kësaj date”, thuhet në njoftimin e MBPZHR-së.

Sipas njoftimit, dëshmia për sasinë e dorëzuar të grurit dorëzohet në drejtoritë komunale për Bujqësi në komunat përkatëse, deri më 2 shtator 2022 në orën 16:00.

Në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2022 kanë aplikuar 28.834 fermerë.