Arbëri

Gratë e PDK-së të pakënaqura me përfaqësimin në parti e institucione

Në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së Gruas të Partisë Demokratike të Kosovës u diskutua për përfaqësimin e gruas në parti dhe institucione, obligimet rreth Konventës së Punës së PDK-së, si dhe planifikimi i aktiviteteve për muajt në vijim.

“Kryetarja e GD-së, Justina Shiroka-Pula, theksoi angazhimin e madh për të ndryshuar pjesëmarrjen e gruas në strukturat e PDK-së, pasi që tek degët kemi një përqindje jo të kënaqshme, ku përfshihen vetëm 13.72 % të grave në struktura. Një gjendje e tillë është edhe nëpër institucionet lokale”, thuhet në komunikatën për media të këtij mekanizmi.

“Kemi 99 drejtori komunale, nga të cilat 84 i udhëheqin meshkujt, ndërsa 18 drejtori i udhëheqin gratë, ose shprehur në përqindje afër 16 %. Por rritja e numrit të grave udhëheqëse në komunën e Drenasit, të udhëhequr nga PDK, megjithatë është shpresë për të gjitha gratë veprimtare”, u shpreh kryetarja Shiroka-Pula, citon komunikata.

Në njoftim thuhet gjithashtu se të dhënat e përbërjes së afër 500 delegateve të Konventës së Gruas, tregojnë se gruaja është potencial i madh kadrovik brenda strukturës së PDK-së.