Arbëri

Për abuzimet milionëshe, Fatmir Plakiqi përfundimisht shkarkohet nga FSSH-ja

Rreth dy javë pas vendimit për suspendim të përkohshëm, Fatmir Plakiqi është njoftuar për shkarkimin nga posti i drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Vendimi është marrë më 4 gusht dhe Plakiqit i është adresuar një ditë më vonë. KOHA ka siguruar letrën e Bordit drejtuar Plakiqit, në të cilën renditen keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet me Fondin, sikurse kishte raportuar KOHA në serinë e shkrimeve hulumtuese të publikuara disa javë më parë. Keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet ndërlidhen me trajtimin e pacientëve në klinikat private jashtë vendit, kryesisht në Turqi

Rreth dy javë pas suspendimit të përkohshëm, Bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ka marrë vendim, të enjten, që drejtori Fatmir Plakiqi të largohet plotësisht nga ky institucion.

Suspendimit dhe më pas ndërprerjes së kontratës së tij të punës i ka prirë një hulumtim i gjatë i KOHËS, nëpërmjet të cilit janë faktuar keqpërdorimet e ndryshme me Programin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Spitalore që është në kuadër të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Vendimi për shkarkim është marrë më 4 gusht, ndërsa në arsyetim janë shpjeguar në hollësi shkeljet e kryera nga Plakiqi.

Si arsye e parë është listuar keqraportimi financiar, për çka kishte raportuar edhe KOHA në hulumtime.

“Fletëzotimet e lëshuara nga drejtori i Fondit, të cilat nuk janë materializuar ende, meqë nuk ka ndodhur aprovimi i kompensimit nga Bordi për Trajtim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, kapin shumën e 19 milionë e 476 mijë euro për 3 vjetët e fundit. Me fjalë të tjera, nëse edhe gjysma e kësaj shume do të shndërrohej në detyrim, atëherë detyrimi i përgjithshëm i Fondit për Sigurime Shëndetësore karshi institucioneve shëndetësore do të ishte 9 milionë e 738 mijë euro”, është cekur në arsyetim.

Në të flitet në hollësi mbi mosraportimin e shifrave.

“Vlera të tilla nuk ishin raportuar në pasqyrat financiare vjetore të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Në fakt, detyrimet kontingjente të raportuara nga Fondi janë vetëm ato detyrime kontingjente që derivojnë nga procedurat gjyqësore në shumën totale prej 331 mijë 611 eurosh, për tre vjetët e fundit”, është shpjeguar në arsyetim.

Megjithëse ceket që Plakiqi kishte mashtruar me shifra, aty thuhet se ai prapëseprapë e kishte nënshkruar raportin vjetor në të cilin siguronte që të dhënat janë të sakta.

“Deklaratat e drejtorit të Fondit janë të pasakta dhe njëherësh pasqyrojnë dështimin e mekanizmit të kontrollit të brendshëm, meqë përkundër parregullsive në raportime financiare, sa u përket detyrimeve kontingjente që rrjedhin nga fletëzotime, i njëjti pohon se të gjitha detyrimet kontingjente janë raportuar, pohim substancialisht i pasaktë, sikur u demonstrua si më lart”, është cekur në justifikimin e vendimit nga Bordi i FSSH-së.

Një arsye tjetër për shkarkimin e Plakiqit është numëruar edhe ndarja buxhetore në kundërshtim me legjislacionin e menaxhimit të financave publike.

“Detyrimet tregojnë që në mungesë të mekanizmave të kontrollit financiar për të siguruar raportim dhe planifikim të drejtë financiar, Fondi për Sigurime Shëndetësore iu është ekspozuar detyrimeve financiare dukshëm jashtë buxhetit të aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me përqindjet si në vijim: 2019 – rreth 13 për qind tejkalim i buxhetit të aprovuar nga kategoria subvencione dhe transfere; 2020 – rreth 65 për qind tejkalim i buxhetit të aprovuar nga kategoria subvencione dhe transfere; 2021- rreth 140 për qind tejkalim i buxhetit të aprovuar nga kategoria subvencione dhe transfere”, është bërë e ditur në arsyetim.

Aty për më tepër ofrohen të dhëna të tjera lidhur me mospërmbushjen e obligimeve nga ana e Plakiqit.

“Mosarsyetimi i mjeteve financiare me fatura ose me dëshmi ekuivalente shpërfaq sesi drejtori i Fondit ka dështuar të vendosë mekanizma të kontrollit të brendshëm financiar, duke mos evidentuar nëse shpenzimet e bëra nga buxheti i Republikës së Kosovës janë kryer për qëllimin të cilin aktualisht janë ndarë”, është specifikuar në arsyetim.

Përmendet njashtu edhe rasti i pagesës për një pacient, për të cilin KOHA kishte raportuar se ka pasur keqpërdorime dhe se paratë ishin ndarë ani se shërbimi për të nuk ishte kryer. Për krejt këto veprime, Bordi i FSSH-së ia ndalon Plakiqit qasjen në premisat e institucionit.

“Përkitazi me këtë, dhe në pajtim me Ligjin e Punës, ju paralajmëroheni për ndërprerje të marrëdhënies së punës, dhe gjerë në nxjerrjen e vendimit përfundimtar brenda afatit të caktuar ligjor, ju e keni të ndaluar të keni qasje në premisat e Fondit të Sigurimit Shëndetësor”, thuhet në pjesën e fundit të vendimit.

KOHA para pak javësh ka publikuar një seri të gjatë hulumtimi për këtë fond dhe ka ofruar prova rreth keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit. Rastet kanë të bëjnë me trajtimin e pacientëve në klinikat private jashtë vendit, kryesisht në Turqi.

Krahas keqmenaxhimit, hulumtimi disamujor i KOHËS ka ngritur dyshime për humbje të madhe të parasë, në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë dhe që nuk gjejnë shërim në Kosovë.

Vlera e milionave që ndahen për këtë program është rritur nga viti në vit. Disa herë ka pasur ndërrim të legjislacionit për këtë çështje, por, megjithëkëtë, për programin pak dihet në publik.

Shteti nuk ka krijuar asnjëherë mekanizëm të kontrollit të këtij programi, dokumentet për këtë program nuk janë bërë asnjëherë publike me arsyetimin që diagnozat janë konfidenciale dhe rrjedhimisht nuk është ditur kurrë me saktësi as se ku kanë shkuar paratë e dedikuara për trajtim shëndetësor.

Ish-drejtori Plakiqi i kishte quajtur spekulime raportimet, gjatë një raportimi të tij para Komisionit të Shëndetësisë. Mirëpo nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, raportimet mbi keqpërdorimet në Fond janë vlerësuar si shqetësuese dhe ka paralajmëruar masa.

Pas suspendimit të përkohshëm të Plakiqit nga detyra, në krye të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore si ushtrues detyre është caktuar Bujar Kaqurri.

Plakiqi e kishte marrë nën menaxhim FSSH-në në dhjetorin e vitit 2017.

Të gjitha publikimet për abuzimet me Fondin mund t’i gjeni këtu: