Arbëri

Mungesa e stafit vështirëson shërbimet në disa reparte të spitaleve të Pejës dhe Gjakovës

Descriptive Text

Si pasojë e mungesës së stafit shëndetësor, Spitali rajonal i Pejës rrezikon që brenda pak muajsh të mos arrijë të ofrojë shërbime 24-orëshe në disa reparte, ndërsa me një problem të ngjashëm është duke u ballafaquar edhe Spitali i Gjakovës, i dyti më i madh rajonal në Kosovë

Ardhja e mërgimtarëve gjatë muajve të verës ka rritur numrin e kërkesave për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, i cili si pasojë e mungesës së stafit shëndetësor, rrezikon që të përballet me mbingarkesë.

Si pasojë e mungesës së stafit, ky spital rrezikon që brenda pak muajsh të mos arrijë që të ofrojë shërbime 24-orëshe në disa reparte, teksa problem i ngjashëm është evidentuar edhe në Spitalin e Gjakovës, i dyti më i madh rajonal në Kosovë.

Kadri Çeta, specializant në emergjencën e Spitalit të Pejës, ka thënë se brenda një kujdestarie aktualisht trajtohen mbi 300 raste, gjë kjo që krijon lodhje dhe mbingarkesë për stafin.

“Te ne vërehet një mungesë e theksuar e stafit mjekësor. Që nga viti i kaluar, unë si specializant, e ndiej mungesën e kolegëve të mi. Na vështirësohet puna, sidomos tash në sezonin e verës, kur është edhe dyfishim i popullsisë. Me ardhjen e mërgimtarëve kemi jashtëzakonisht ngarkesë. Është dy e trefishuar numri i rasteve në emergjencën e Pejës. Kemi mbi 300 raste brenda kujdestarive”, ka theksuar Çeta.

Krahas mungesës së stafit shëndetësor në emergjencë, mungesë stafi në Spitalin e Pejës ka edhe në disa reparte të tjera, me numër të madh kërkesash për trajtim.

Muhamet Haliti, drejtor mjekësor, ka numëruar Repartin e Dializës si një prej atyre me mungesë të theksuar të stafit.

“Kemi vështirësi në shumicën e reparteve. Arsyeja është mosha e vjetër, si numër 1, dhe largimi i disa mjekëve specializantë në vende të tjera, jashtë Kosovës. Kemi vështirësi në Repartin e Dializës, për momentin kemi 2 mjekë, por brenda 2 muajve pensionohet edhe mjeku tjetër dhe mbetet vetëm 1. Me këtë numër është shumë vështirë që të organizohet puna. Pastaj e kemi repartin e Infektives. Aty kemi dy infektologë, e brenda 2 muajsh, njëri pensionohet”, ka bërë të ditur ai.

Për mungesën aktuale të stafit, Halili ka fajësuar koordinimin joadekuat të institucioneve për specializime, për të cilën arsye, ai ka theksuar se në të ardhmen nuk do të ndodhë një krizë serioze e mungesës së kuadrove shëndetësore.

“Ndarja e specializimeve..., periudha kohore ka qenë shumë e rrallë, nuk ndahen specializime një herë në 4 vjet, ku p.sh. vetëm gjatë vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti ne si spital kemi pasur përmbi 20 mjekë që kanë dalë në pension dhe nuk janë zëvendësuar me mjekë të rinj”, është shprehur ai.

Ai ka shprehur shqetësimin se brenda pesë vjetësh mungesa e stafit rrezikon që të bëhet e papërballueshme.

“Nëse nuk ndërmarrin masa, Ministria dhe SHSKUK-ja, që të ndahen specializime për çdo vit, ashtu që të motivohen mjekët e rinj, të marrin specializime që ka mungesë të tyre, atëherë brenda 5 vjetëve ose 10 do të kemi mungesa të hatashme dhe nuk do të mund ta realizojmë punën brenda 24 orëve”, ka shtuar ai.

Me mungesë të ngjashme stafi është duke u ballafaquar edhe Spitali i Gjakovës.

Jeton Zarari, drejtor i këtij spitali, ka thënë se repartet e Pomologjisë, Oftalmologjisë dhe Otorinolaringologjisë janë duke funksionuar vetëm me nga një profesionist shëndetësor dhe se për këtë arsye është pamundësuar ofrimi i shërbime 24-orëshe.

Ditë më parë, ish-drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, si dhe Oda e Mjekëve kanë ngritur shqetësime lidhur me një krizë të mundshme të mungesës së stafit shëndetësor.

Me gjithë paralajmërimin, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në një deklarim për KOHËN pati thënë se numri i staf shëndetësor aktualisht është i mjaftueshëm.

“Alarmimi është i drejtë, edhe unë jam i alarmuar vetëm nëse një mjek na del. Por thënë të drejtën, ne kemi mjaft. Na duhet që ta shtojmë efikasitetin. Duhet të shtojmë ekspertizën tonë dhe në këtë mënyrë mund ta ndërtojmë shëndetësinë që mund ta kemi e që është me standarde të njëjta ndërkombëtare”, pati deklaruar Latifi.