Arbëri

Staroviq: Asociacioni duhet të diskutohet në Bruksel, Prishtina s’mund ta përcaktojë agjendën

Descriptive Text

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nemanja Staroviq, ka deklaruar se ende nuk dihet agjenda e takimit të ardhshëm në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Ai është shprehur i bindur se përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk do ta lejojnë Prishtinën ta përcaktojë rendin e ditës sipas gjykimit të saj, dhe se në fund duhet të diskutohet për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

“Jam i bindur se ata nuk do të lejojnë të formohet një agjendë sipas gjykimit të tyre, dhe se do të duhet t’i diskutojnë gjërat që duan t’i zbatojnë në mënyrë të njëanshme”, tha Staroviq.

Staroviq deklaroi në RTS se nëse Prishtina nuk dëshiron të diskutojë për Marrëveshjen e Brukselit dhe shtyrjen apo modifikimin e masave të saj, ai nuk e kupton se çfarë do të ishte tema e këtyre takimeve.

Siç ka thënë ai, është një situatë e paqëndrueshme që Prishtina insiston në zbatimin e njëanshëm të marrëveshjeve teknike bazuar në interpretimet jashtëzakonisht arbitrare të marrëveshjeve të arritura 10 apo 11 vjet më parë, ndërsa në të njëjtën kohë ka neglizhuar formimin e Unionit të Komunave Serbe.

Sekretari shtetëror në MSP ka shtuar se nuk ka pritje të mëdha për takimin e radhës në Bruksel.

“Kam frikë se do të jetë e vështirë të ndryshohet modeli i sjelljes së Albin Kurtit, i cili reduktohet në lëvizje të njëanshme që, si rregull, dëmtojnë interesat e serbëve në Kosovë dhe çojnë në destabilizim. Për fat të keq, është e vështirë të pritet një gjë e tillë, kam frikë se nuk ka vullnet të mjaftueshëm nga ana e përfaqësuesve të BE-së për t'i dhënë fund”, ka thënë Staroviq.

Deklarata e tij vjen vetëm pak kohë pasi Qeveria e Kosovës ka deklaruar se vendimi për targat dhe reciprociteti për dokumente me Serbinë nuk do të diskutohen në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i radhës do të zhvillohet më 18 gusht, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.