Arbëri

Sveçla: Ka dëshmi për ndërhyrje të Rusisë në veri

Xhelal Sfecla Xhelal Sfeqla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shpallur të padëshirueshme shtetasen ruse Daria Aslamova, e cila kishte mësyrë të hynte në Kosovë në cilësinë e gazetares, por autoritetet kanë thënë se ajo është “spiune e konfirmuar”. Sipas ekspertëve kosovarë të sigurisë, agjentët sekretë serbë dhe ata rusë po gjejnë shtrirje në veri të Kosovës. Një nga figurat kryesore të BIA-s, Bojan Dimiq, sipas tyre, është në krye të këtyre agjentëve

Gazetares ruse Daria Aslamova i është ndaluar hyrja për pesë vjet në territorin e Republikës së Kosovës. Me vendim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ajo është shpallur person i padëshiruar.

Aslamova të shtunën mbrëma është ndalur nga policia, në tentim për t’u futur në Kosovë.

Në dy deklarime gjatë ditës, ministri Sveçla ka thënë se arrestimi i Aslamovas në veri, duke tentuar të hyjë në Kosovë nga Serbia, është dëshmi e pakundërshtueshme e ndërhyrjes së Rusisë në veri të Kosovës.

“Në të njëjtën ditë që policia jonë u sulmua nga bandat kriminale dhe vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës, Daria Aslamova, një spiune e konfirmuar ruse e angazhuar në propagandë lufte në Ukrainë, u arrestua duke tentuar të hyjë në Kosovë nga Serbia – dëshmi e pakundërshtueshme e Rusisë për të ndërhyrë në veri të Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Twitter.

Në një postim tjetër ai ka shkruar: “Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”.

52-vjeçarja nga Rusia është korrespondente speciale për të përditshmen ruse “Komsomolskaya Pravda”. Kjo gazetë njihet për qëndrimet e saj pro-Kremlinit. Ajo ka punuar edhe në Ukrainë si korrespondente lufte për kanalin që përhap propagandë ruse, Tsargrad.

Sipas ekspertëve kosovarë të sigurisë, agjentët sekretë serbë dhe ata rusë po gjejnë shtrirje në veri të Kosovës. Një nga figurat kryesore të BIA-s, Bojan Dimiq, sipas tyre është në krye të këtyre agjentëve.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka thënë për KosovaPress se Dimiqi i kontrollon në tërësi këta eksponentë, të cilët i quan “idiotë të shfrytëzuar”.

“Këta të mjerë nuk janë as të vetëdijshëm që punojnë për çështjen ruse dhe janë të orientuar në nivele të ndryshme shoqërore, ato kriminale, politike, të jetës së përditshme. E kemi rastin e Radojiçiqit, Veseloviqit, të cilët janë pandam të Arkanit të dikurshëm. Këto politika, të cilat janë të trashëguara nga Rusia e kahershme”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, ka agjenturë ruse në Kosovë dhe Bojan Dimiqi është përfaqësues i tyre.

“Ai i kontrollon në tërësi këta eksponentë të cilët shumica e tyre quhen në gjuhë profesionale idiotë të shfrytëzuar, sepse nuk janë të vetëdijshëm për këtë shërbim”, ka thënë Musliu.

Arben Hajrullahu, profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se Rusia është e interesuar për të përdorur Serbinë për politika të vetat.

“Në qoftë se shikohet për një periudhë më të gjatë kohore me dekada, interesi rus gjithmonë ka qenë që ta përdorë Serbinë si bazë për realizimin e politikave të veta ekspansioniste dhe në Serbi shpeshherë e ka gjetur një tokë pjellore për veprimet e veta, e kjo sidomos viteve të fundit është shpërfaqur në masë shumë të madhe. Pra, është pjesë e projektit ekspansionit rus, ku Serbia në mënyrë të vullnetshme faktikisht është bërë vegël e Rusisë”, ka thënë ai.

Gjatë ditës ministri Sveçla ka vizituar zyrtarët policorë në pikën kufitare në Bërnjak – e cila ndodhet në veriun e banuar kryesisht me serbë – pas një sulmi që ka ndodhur të shtunën në Liqenin e Ujmanit.

“Sot isha për vizitë në pikën kufitare në Bërnjak dhe në Stacionin policor të Policisë Kufitare. Me këtë rast takova disa nga zyrtarët policorë të cilët janë ballafaquar me sulme të shumta nga strukturat ilegale serbe në mbrëmjen e 31 korrikut, si dhe zyrtarë të tjerë policorë që po angazhohen në mbrojtje të kufirit tonë. Siç kemi njoftuar, zyrtarët e kësaj pike kufitare janë sulmuar përsëri dje derisa po patrullonin në Liqenin e Ujmanit”, ka shkruar ai në Facebook.

Që nga viti i kaluar deri më tash, sipas tij, në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej të cilave kanë qenë ndaj zyrtarëve policorë.

Sveçla ka deklaruar se përkundër sfidave, ka parë vendosmëri tek pjesëtarët e Policisë që t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre.

“Përkundër të gjitha sfidave me të cilat po ballafaqohemi, tek të gjithë zyrtarët policorë pashë një vendosmëri dhe entuziazëm që në plotni të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre zyrtare. Me këtë rast i falënderova ata për zellin e treguar deri tani dhe i inkurajova që së bashku të punojmë drejt shtrirjes së plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë zonë”, ka shkruar Sveçla.

Prej pasluftës në komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë kanë funksionuar struktura ilegale të Serbisë. Pavarësisht një marrëveshjeje Kosovë-Serbi për integrimin e tyre, autoritetet e Qeverisë i kanë bërë përgjegjëse ato për një varg sulmesh të armatosura e edhe për vendosjen e barrikadave rrugëve të veriut, sa herë ka pakënaqësi në vendimet e institucioneve të Kosovës, e që kryesisht kanë të bëjnë ose me shtrirjen e ligjshmërisë ose me masa reciprociteti ndaj Serbisë.