Arbëri

Kosova kërkon kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj, ka mbajtur një fjalim në forumin e ministrave të Punëve të Jashtme, në takimin e parë të Presidencës kroate të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore që po mbahet në Zagreb, njofton kumtesa ministrore, transmeton koha.net.

Në këtë takim, në emër të institucioneve kosovare, zëvendësministri Murtezaj ka kërkuar marrjen e kryesimit të kësaj iniciative të rëndësishme rajonale për periudhën 2018 - 2019.

fjalimin e tij drejtuar forumit të ministrave të Punëve të Jashtme të SEECP-së, zëvendësministri Murtezaj ka përmendur të arriturat e Republikës së Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane. Ai ka shprehur përkushtimin e institucioneve të vendit për të kontribuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal e më gjerë, me qëllim të forcimit të paqes dhe zhvillimit ekonomik.

Murtezaj ka theksuar në veçanti rëndësinë e proceseve, nëpër të cilat po kalon vendi dhe ka elaboruar përkushtimin që Kosova po e tregon në rrugën e integrimeve evropiane pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Ai jithashtu ka sqaruar rrugëtimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës në kryerjen e reformave si në fushën e sundimit të ligjit, ashtu edhe në përpjekjet për zhvillim ekonomik dhe qëndrueshmëri sociale.

Përveç ministrave të vendeve anëtare,në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, po marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë nga Komisioni Evropian, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, si dhe nga qendra për siguri RACVIAC.

Duke u zotuar për përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe qëllimin e forcimit të tij përmes kontributit real/efektiv, Murtezaj ka kërkuar marrjen e kryesimit të Presidencës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore nga Kosova për periudhën 2018 - 2019, pas përfundimit të Presidencës sllovene, e cila vitin ardhshëm e pason Kroacinë.