Arbëri

Osmani e Hovenier diskutojnë për vazhdimin e koordinimit për masat e reciprocitetit

Osmani e Hovenier diskutojnë për vazhdimin e koordinimit për masat e reciprocitetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për vazhdimin e koordinimit për masat e reciprocitet.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Presidentes, është thënë se në takimin e së enjtes është diskutuar për zhvillimet e fundit brenda Kosovës.

“Në takim u diskutua dhe për takimin e suksesshëm me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken të realizuar javën e kaluar në Uashington D.C. Në këtë drejtim palët kanë diskutuar për hapat e mëtutjeshëm dhe bashkëpunimin konkret me qëllim të thellimit të raporteve në mes të dy shteteve”, është thënë më tej në njoftim.

Po ashtu, thuhet se Osmani e ka njoftuar Ambasadorin Hovenier për progresin e Kosovës në drejtim të përmbushjes së zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, “me ç’rast shprehu mirënjohje për vlerësimin pozitiv të punës së institucioneve të Kosovës nga ana e Sekretarit Blinken”.

Gjatë ditës, Hovenier është takuar ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiqin, njëherit kryetar i Listës Serbe.

Hovenier ka thënë se ka folur lidhur me ngjarjet e fundit në veri të vendit dhe nevojën për depërshkallëzim.

Ai tha se Rakiqit ia rikujtoi edhe një herë disa qëndrime të SHBA-së.

“Ne folëm për rëndësinë e depërshkallëzimit të disa prej çështjeve. I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga çështjet që përfshijnë masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka dashur t'i vendosë. Nga këndvështrimi ynë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime. Ne gjithashtu folëm për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat", tha Hovenier.