Arbëri

BIK-u kërkon të shfuqizohet vendimi që ndalon mbajtjen e shamive në shkolla

Descriptive Text

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka kërkuar të enjten që të shfuqizohet vendimi që pengon shkollimin e vajzave me mbulesë.

Tërnava ka ripërsëritur kërkesën e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës që të hiqet pika 1.13 e nenit 3 të udhëzimit administrativ 06/2014, pasi diskriminon nxënëset me shami, duke ua mohuar të drejtën e shkollimit.

“Është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të shfuqizohet, respektivisht të hiqet e tëra pika 1.13 e nenin 3, në Udhëzimin Administrativ 06/2014, ngase është diskriminuese, dhe si e tillë në disa raste ka pas tentime që duke u thirr në këtë udhëzim, respektivisht në këtë nen t’u mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesën myslimane – shaminë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga BIK-u.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe organet kompetente që të anulohet sa më parë ky vendim.

“Kërkojmë nga organet kompetente, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, si dhe nga kryeministri z. Albin Kurti, që sa më parë ta anulojnë këtë vendim, që në vete është diskriminues ndaj qytetareve të Kosovës – fëmijëve tanë. Mirëpo, kjo kërkesë e kamotshme e BIK-ut nuk duhet politizuar e as polarizuar, por duhet trajtuar me përgjegjësi e korrektësi maksimale”, është thënë më tej në njoftim.