Arbëri

Rohde tha se vendimet e Kosovës për dokumente hyrje/dalje dhe targa janë legjitime, reagon Petkoviq

Descriptive Text

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka reaguar ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pasi ai tha se vendimet e Kosovës për reciprocitetet për letërnjoftime dhe për targa janë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

“Përfaqësuesi i Gjermanisë në Prishtinë nuk po e thotë të vërtetën! Si qenkan legjitime shkelja e marrëveshjes dhe lëvizjet e dhunshme të Albin Kurtit? Si është legjitime heqja e targave të statusit neutral KS nga Prishtina? Si ka qenë i heshtur ai përfaqësues gjerman në Prishtinë për këtë? Si qenka legjitime konfiskimi i dokumenteve personale të serbëve të Kosovës? Ku thuhet kjo? Çfarë ka ndodhur me themelimin e Asociacionit që serbët e kanë pritur për gati 10 vjet, dhe që është gjëja e vetme në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit? Pse Gjermania nuk ka bërë gjë për Asociacionin? Para se të bëni interpretime të njëanshme, lexoni me kujdes marrëveshjet!” – ka shkruar Petkoviq në Twitter.

Rohde mbrëmë në një postim në T]itter kishte cekur se vendimet e Kosovës për reciprocitet për letërnjoftime e po ashtu për largim të targave ilegale, janë legjitime.

“Takim i mirë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ku diskutuam për zhvillimet përfshirë vendimin për shtyrje të implementimit të vendimeve për targa të automjeteve dhe dokumenteve hyrje/dalje për 1 shtator në koordinim me BE-në dhe SHBA-në. E kam theksuar se vendimet janë legjitime dhe plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit”, ka shkruar Jorn Rohde.