Arbëri

Policia demanton mediat serbe: S’ka maltretime të qytetarëve në veri

Disa media serbe të martën kanë raportuar se policë të Kosovës po ndalin qytetarët në veri të vendit duke i maltretuar e duke i kërcënuar me fjalët “shihemi pas një muaji”. Megjithatë të gjitha raportimet janë hedhur poshtë nga Policia e Kosovës.

Në një reagim publik në mbrëmje, Policia ka demantuar “informatat e ndryshme, të rreme të cilat po qarkullojnë se kinse Policia e Kosovës, në veri të Mitrovicës po ndalon dhe maltreton qytetarët, gjatë ushtrimit të detyrave policore”.

Sipas policisë, “qarkullimi i këtyre informacioneve të pavërteta, ka për qëllim dezinformimin dhe krijimin e pa sigurisë te qytetarët”.

“Ju sigurojmë se Policia e Kosovës përmes realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore, ka të vetmin qëllim, parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe kontrabandës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime”, thuhet në reagim.

Policia ka bërë të ditur se të martën në një pikë kontrolli në veri, policët janë penguar nga një person i dehur që është shoqëruar në stacion policor.

Thirrjet për të mos rënë pre e dezinformatave për gjendjen në veri së fundmi janë shtuar edhe nga Qeveria e Kosovës. Sipas Qeverisë, qytetarë të shumtë në veri kanë rënë pre e dezinformatave për çështjen e kthimit të targave ilegale në RKS dhe për çështjen e reciprocitetit mbi letërnjoftimet.

Të hënën ka qenë e paraparë që të nisë zbatimi i reciprocitetit për dokumentet e shtetit të Serbisë, ashtu që kur një qytetar hyn në Kosovë me letërnjoftim të Serbisë, t’i lëshohet një dokument për hyrje-dalje, ngjashëm siç ka bërë Serbia qe më shumë se 10 vjet. Po ashtu më 1 gusht ka qenë e paraparë që të nisë afati i fundit për kthimin e tabelave ilegale në RKS. Implementimi i të dyja vendimeve u shty me kërkesë të ndërkombëtarëve, pasi në veri u bllokuan me kamionë rrugët që çonin në kufi.