Arbëri

Vllasi: S’duhet hequr dorë nga parimi i reciprocitetit, s’është kiamet nëse ka shtyrje tjetër të afatit

Ish-politikani dhe avokati, Azem Vllasi, ka thënë se Kosova nuk duhet të heqë dorë nga masa e reciprocitetit me Serbinë. Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk është ndonjë gjë e madhe edhe nëse shtyhet afati i aplikimit të vendimeve për reciprocitet më tepër ditë, porse nuk duhet hequr dorë nga masa.

“Nuk është e thënë që të ndodh pas 29 ditëve. Një zgjidhje me rëndësi është të gjendet. Duhet Brukseli dhe aleatët perëndimorë të luajnë rolin e ndërmjetësuesit në këtë çështje. Që nuk vjen te një marrëveshje nuk është kijameti të shtyhet edhe pak. Kosova duhet ta ushtrojë pushtetin në tërësi në tërë territorin e saj. A do të arrihet marrëveshja brenda 29 ditëve apo të shtyhet edhe pak nuk është kijamet. Por, nuk duhet hequr dorë nga parimi i reciprocitetit. Serbia është ajo që duhet të sillet ndryshe. Në kalimin kufitar duhet të heqë dorë nga dhënia e asaj cope letre për qytetarët e Kosovës apo të pajtohet me reciprocitet”, ka thënë Vllasi.

Ai ka thënë se situatat e tilla po ia kujtojnë ato të vitit 1987, ku Serbia po bënte lojën e sajë me manipulime e dezinformata.

Vllasi ka thënë se thirrja nga aleatët ndërkombëtarë për të shtyrë implementimin e vendimeve nga Kosova nuk e sheh se ata po kanë mirëkuptim me Serbinë.

“Ata e kanë vlerësuar se Serbia dëshiron të krijojë tensione në Kosovë e rajon për ta tërhequr vëmendjen nga agresioni rus në Ukrainë. Perëndimorët janë angazhuar të qetësohet situata e kjo çështje të shtyhet. Asnjë nga perëndimorët nuk tha të hiqet dorë nga parimi i reciprocitetit”, ka thënë Vllasi.

Vllasi thotë se të gjithë janë mësuar tashmë me skenarin e aktrimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka shtuar se nuk ka asnjë shansë që Serbia ta sulmojë Kosovën.

“Nuk ka shans e as mënyrë që Serbia ushtarakisht apo me forcë të angazhohet në Kosovë, sepse hyn në luftë me NATO-n. Kosova s’është anëtarë e NATO-s, por NATO është në Kosovë”, tha Vllasi.