Arbëri

Ekzekutivit i kërkohet subvencionimi i kaldajave dhe peletit për qytetarët

Mbështetje për qytetarët për sigurim të ngrohjes gjatë dimrit, ndalim të përdorimit të energjisë për mihjen e kriptovalutave dhe kursim të konsumit të energjisë në të gjitha institucionet, janë masat që ka miratuar Qeveria e Kosovës të hënën.

Në mbledhjen elektronike, ekzekutivi ka miratuar vendimin për shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë, e të cilat pritet të shqyrtohen në Kuvend.

Por, këto masa, sipas Dardan Abazi, hulumtues në INDEP edhe pse janë të duhura, nuk janë të mjaftueshme dhe disa nga to janë të vonuara. Ai ka propozuar disa masa shtesë.

“Një program për ndryshim të kaldajave për qytetarët, fuqizim të menjëhershëm të Fondit të Efiçiencës së energjisë, pastaj një program për subvencionimin e peletit, në mënyrë që sistemet e ngrohjes të ndryshohen, nga sistemi aktual i energjisë elektrike të familjeve të cilat kanë mundësi që të ndryshojnë sistemet e ngrohjes dhe atyre që nuk kanë mundësi”, tha Abazi.

Me masat e miratuara, ekzekutivi ka paraparë edhe mbështetje të Operatorit të Sistemit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektroenergjetik.

“Qeveria e Republikës së Kosovës merr vendim që të shpallen masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, shtyrë nga gjendja aktuale botërore energjetike: rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, si dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit”, thuhet nga Qeveria e Kosovës.

Edhe Abazi e sheh të nevojshme investimet në stabilimentet elektrike, por njëkohësisht edhe në burime të energjisë së ripërtëritshme.

“KEK-u nuk duhet të koncentrohet në fitimet në para, nuk duhet të koncentrohet që të jetë kompani që sjell përfitime materiale, por duhet që atë energji që ka tepricë gjatë verës ta shkëmbejë me energjinë gjatë dimrit”, tha Abazi.

Masat e miratuara nga Qeveria, duhet që të marrin aprovimin edhe të Kuvendit në mënyrë që të jenë të plotfuqishme.

Kuvendi pritet që më 4 gusht ta mbajë mbledhjen e fundit për sezonin veror, në të cilën nuk është e paraparë kjo pikë.

Nga pushteti nuk kanë treguar nëse do të kërkojnë që me shmangie të procedurës do t’i miratojnë edhe këto masa.