Arbëri

MPJ-ja njofton se pikat kufitare në Bërnjak e Jarinjë mbesin të mbyllura

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve që të shfrytëzojnë pika tjera kufitare, pasi ato në Jarinjë e Bërnjak janë të mbyllura.

Qytetarëve të Kosovës që kanë hyrë tashmë në Serbi u është thënë që të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut.

“Policia e Kosovës ka mbyllur përkohësisht për qarkullim për udhëtarë dhe për automjete pikat kufitare #Bernjak dhe #Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve. Njoftohen të gjithë bashkëatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi merrni rrugën përmes Maqedonisë së Veriut (pikëkalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit. Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të gabuara, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutem ndiqni Policinë e Kosovës rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet nga MPJ e Kosovës.