Arbëri

Hasani: Nëse nuk adresohen vërejtjet, projektligji për Byronë mund të shpallet jokushtetues

Descriptive Text

“Nëse ky projektligj hyn në fuqi pa adresuar siç duhet rekomandimet e Komisionit të Venecias, i njëjti mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga palët e autorizuara (p.sh., deputetët e Kuvendit, Avokati i Popullit, e të tjerë). Sigurisht, për shkak të forcës autoritative të opinioneve të Komisionit të Venecias si dhe shkeljeve të qarta kushtetuese, ky Ligj patjetër do të shpallej jokushtetues”, ka thënë Jeton Hasanit, hulumtues i lartë në IKD. “Prandaj është e domosdoshme që rekomandimet e Komisionit të Venecias të adresohen në mënyrë të mirëfilltë”

Vërejtjet që i ka dhënë Komisioni i Venecias për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk janë interpretuar me seriozitetin e njëjtë nga Qeveria, vlerëson Jeton Hasani, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (IKD). Ai në një intervistë për KOHËN, ka thënë se projektligji pothuajse në të gjitha dispozitat ka marrë vërejtje nga Komisioni i Venecias, e të cilat janë minimizuar kur janë prezantuar nga Ekzekutivi.

Sipas tij, nëse rekomandimet e Komisionit të Venecias për Byronë do të merren parasysh, projektligji do të pësojë transformim pothuajse të tërësishëm.

Ai ka kritikuar pushtetin për miratim në parim të këtij projektligji në Kuvend, pa përfshirë rekomandimet, meqë thotë se ka të meta të mëdha që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas Hasanit, nëse në mes të dy leximeve nuk adresohen në mënyrë të duhur rekomandimet, ligji mund të shpallet antikushtetues, në rast se dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Me gjithë vërejtjet e dhëna, Hasani thotë se Komisioni i Venecias e ka cilësuar si të ligjshëm krijimin e këtij mekanizmi. Që projektligji të mos shpallet antikushtetues, Hasani i ka dhënë edhe disa rekomandime për Qeverinë.

KOHA: Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka kaluar në Kuvend në lexim të parë. A keni vërejtje për draftin e miratuar në parim?

Hasani: Patjetër që ne si Institut i Kosovës për Drejtësi kemi vërejtje të mëdha në substancën e këtij Projektligji të miratuar në parim në Kuvend. Pikëpamjet tona rreth Projektligjit i kemi shprehur me shkrim qysh në janar të vitit 2022, në punimin “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual” ku shumica dërrmuese e gjetjeve aty konfirmohen më pastaj edhe nga ana e Komisionit të Venecias në qershor. Nuk ka si të mos kemi vërejtje për këtë Projektligj kur është e padiskutueshme që i njëjti është në kundërshtim serioz me Kushtetutën e vendit dhe standardet ndërkombëtare.

KOHA: Si i lexoni ju rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe a janë lexuar-interpretuar drejt nga Qeveria, respektivisht Ministria e Drejtësisë?

Hasani: Duke qenë se, siç u tha, shumica dërrmuese e qëndrimeve tona të mëhershme veçse gjenden në opinion të Komisionit të Venecias, është e natyrshme që ne me të njëjtat rekomandime pajtohemi. Rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias janë shumë profesionale dhe përmbajtjesore, me propozime konkrete se si Projektligji të vihet në linjë me standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e vendit. Me gjithë vërejtjet e dhëna, që ishin të shumta dhe serioze, e vlerësojmë faktin që Komisioni i Venecias e ka konsideruar legjitim krijimin e mekanizmit të konfiskimit civil të pasurisë së pajustifikueshme në Kosovë, duke e parë atë si masë të arsyeshme për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Krejt çfarë mbetet është të ndiqen rekomandimet e dhëna, ashtu që qëllimi legjitim i këtij lloji të konfiskimit të shoqërohet me respektim të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare.

Në anën tjetër, sa i përket interpretimit të rekomandimeve të Komisionit nga ana e Qeverisë, vlerësojmë që Qeveria disi ka tentuar të zvogëlojë seriozitetin e vërejtjeve të dhëna. Ta zëmë, është thënë që ekzistojnë vetëm gjashtë rekomandime kryesore që jepen nga ana e Komisionit të Venecias. Në fakt, janë gjashtë grupe rekomandimesh të dhëna, kurse rekomandimet kryesore konkrete janë me dhjetëra. Pothuajse nuk ka element të rëndësishëm të Projektligjit që nuk i është dhënë të paktën një vërejtje, në aspekte të caktuara duke gjetur madje edhe shkelje të standardeve minimale. Megjithatë, Qeveria ka të drejtë kur vlerëson edhe aspektet pozitive të Opinionit, duke qenë se të paktën ideja për krijimin e mekanizmit të konfiskimit civil të pasurisë së pajustifikueshme është përkrahur nga Komisioni i Venecias. Sigurisht që kjo çështje përbën një aspekt pozitiv të Opinionit dhe Qeveria me të drejtë e paraqet si të tillë.

KOHA: A është dashur që rekomandimet e Komisionit të Venecias të përfshihen edhe në shqyrtimin e parë të Projektligjit?

Hasani: Patjetër. Instituti i Kosovës për Drejtësi vazhdimisht ka bërë thirrje që Projektligji të tërhiqet nga Kuvendi dhe Qeveria (e jo Kuvendi) ta rishikonte Projektligjin në linjë me opinionin e Komisionit të Venecias, duke qenë se grupet punuese të Qeverisë janë më efikase dhe profesionale në punën e tyre. Nuk është as serioze që Projektligji të votohet në shqyrtim të parë në Kuvend, e pastaj, pas ndryshimeve që do të bëhen, t’u vijë deputetëve në shqyrtim të dytë një Projektligj thuajse krejtësisht tjetër. Dhe do të jetë Projektligj thuajse krejtësisht tjetër po qe se ndiqen rekomandimet e Komisionit të Venecias, pasi që, siç e thamë, nuk ka element të rëndësishëm të Projektligjit që nuk i është bërë të paktën një vërejtje.

KOHA: Cilat duhet të jenë ndryshimet kryesore që duhet të bëhen në mes të dy leximeve në Komisionet Parlamentare?

Hasani: Duhet të vendoset a do të krijohet Byroja si institucion i ri, apo që për çështje të verifikimit të pasurisë dhe inicimit të procedurave të konfiskimit kompetente të jenë institucionet ekzistuese. Nëse krijohet Byroja, duhet të përshtaten kompetencat e Byrosë me institucionet ekzistuese relevante në këtë fushë. Duhet të garantohet pavarësia objektive e Byrosë duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes dhe shkarkimit të organit drejtues të saj, në mënyrë që të shmanget politizimi i këtij institucioni. Duhet të rregullohen mangësitë që kanë të bëjnë me standardin e të provuarit, si në caktimin e masës së përkohshme ashtu edhe në konfiskimin final. Duhet të rregullohen më mirë procedurat e brendshme të Byrosë, përkatësisht të forcohen kompetencat e saj hetuese, të precizohen situatat kur mund të fillohet verifikimi i pasurisë dhe inicimi i procedurës, si dhe të garantohen të drejtat e personave privatë që mund të detyrohen të bashkëpunojnë me Byronë. Duhet të rregullohet më mirë mbrojtja e të drejtave të personave të tretë në procedurë, të drejtat e personit të cilit i vendoset pasuria nën masë të përkohshme, si dhe të rregullohet raporti mes procedurës civile të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme dhe procedurave eventuale penale. E të tjera.

KOHA: Çka nëse rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk merren parasysh gjatë shqyrtimit në lexim të dytë? Cilat do të ishin rreziqet që projektligji të hyjë në fuqi kryesisht me përmbajtjen aktuale?

Hasani: Për fat të mirë, në Kosovë ekziston kontrolli kushtetues i ligjeve, i cili bëhet nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, nëse ky Projektligj hyn në fuqi pa adresuar siç duhet rekomandimet e Komisionit të Venecias, i njëjti mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga palët e autorizuara (p.sh., deputetët e Kuvendit, Avokati i Popullit, e të tjerë). Sigurisht, për shkak të forcës autoritative të opinioneve të Komisionit të Venecias si dhe shkeljeve të qarta kushtetuese, ky Ligj patjetër do të shpallej jokushtetues. Prandaj është e domosdoshme që rekomandimet e Komisionit të Venecias të adresohen në mënyrë të mirëfilltë.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.