Arbëri

Kurti: Ditët në vijim sfiduese e problematike, Vuçiq e Petkoviq përgjegjës për trazirat në veri

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ditët në vijim do të jenë sfiduese dhe problematike, pasi Kosova po përballet me nacional-shovinizmin serbomadh që e njeh mjaft mirë.

Kurti ka thënë se ende pa filluar lëshimi i dokumenteve të hyrjes e daljes nga Kosova, strukturat ilegale serbe kanë bllokuar rrugët dhe kanë nisur të shtënat me armë.

“Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat. Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e don, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët. Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial. Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, ka shkruar Kurti në Facebook.