Arbëri

Kosova e Maqedonia synojnë të mbështesin njëra-tjetrën me rrymë

Descriptive Text

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka nisur të shqyrtojë mundësitë që me Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ESM) të mbështesin njëra-tjetrën për çështjen e rrymës.

Në një njoftim për media të premten, KEK-u ka thënë se në Shkup, në një takim në mes të krerëve të dy ndërmarrjeve, është diskutuar për mundësinë që të shfrytëzohet thëngjilli nga Kosova në termocentralet e Maqedonisë dhe që të ketë mbështetje reciproke ndërmjet dy sistemeve.

“Gjatë takimit u konkludua se grupet e punës nga të dy kompanitë shtetërore në kohë sa më të shkurt do të vendosin procedurat për realizimin e bashkëpunimit të dakorduar, si dhe që qeveritë e të dy vendeve, përkatësisht Ministrat e Ekonomisë të njoftohen për hapat e ardhshëm, të cilat janë në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror të dakorduar në pjesën e energjetikës nga Ministrat e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Artane Rizvanoli në dhjetor 2021”, thuhet në njoftim të KEK-ut.

Në fund të vitit të shkuar ishte arritur pajtim që Kosova t’i shesë qymyr Maqedonisë.

Mbështetja e njëra-tjetrës me rrymë vjen në kohën kur bota po përballet me krizë energjetike, si pasojë e shtrenjtimit enorm të energjisë. Kosova ka nisur bashkëpunim edhe me Shqipërinë që të tejkalojë më lehtë dimrin, që sipas ekspertëve, do të jetë edhe më i rëndë se i shkuari kur u vendos për shtrenjtim të tarifave.

Kosova është ndër vendet më të pasura në botë me rezerva linjiti.

Kosova është vendi i dytë në botë për varësi nga thëngjilli për rrymë. Vendi shfrytëzon thëngjillin për prodhimin e rreth 95 për qind të energjisë elektrike. Së fundmi, KEDS-i është ankuar për ngritje të lartë të çmimit të importit të rrymës në kohën kur shfrytëzimi është fokusuar për ngrohje gjatë dimrit.

Autoritetet e Kosovës s’kanë komentuar marrëveshjen potenciale.