Arbëri

I kthyeri nga Siria: Ka imamë që flasin ndryshe në publik, e kanë qëndrim tjetër privatisht

Albert Berisha në vitin 2013 kishte shkuar në Siri për t’iu bashkuar luftës për rrëzimin e presidentit Bashar al Asad. Berisha posa e kuptoi se çfarë po ndodhte atje, vendosi të arratisej dhe të kthehej menjëherë drejt Kosovës. Në Kosovë, ai u përballë me drejtësinë dhe u dënua me tre vjet e gjysmë burgim. Pasi doli nga burgu, Berisha themeloi një Institut për Siguri dhe Deradikalizim (INSID). Sot, ai punon në hulumtimin e rasteve për ta parandaluar radikalizimin. Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Berisha të premten ka thënë se ka imamë të cilët kanë nxitur shkuarjen në Siri të shumë të rinjve asokohe dhe kjo po vazhdon edhe sot. Sipas tij, këta imamë ndryshe flasin publikisht e ndryshe privatisht.

“Kam respekt për ata imamë që janë në gjendje ta thonë atë që e thonë publikisht, edhe privatisht. Por disa prej tyre, disa që janë të famshëm, kanë dallime diametrale mes ligjëratave publike dhe private që japin. Këtë duhet me thënë dikush. Nuk kam respekt për këta persona. Nuk i dua hoxhallarët të cilët u thonë njerëzve shko lufto ti, ndërsa unë po rri këtu se i duhem kauzës. Nuk po e drejtoj gishtat te hoxhallarët, por tek individët”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Berisha pati kritika edhe për shtetin, për të cilin thotë se dënoi vetëm viktima dhe jo nxitësit.

“U dënuan vetëm viktimat, jo ata që i kanë nxitur për të shkuar”, ka thënë ai.

Themeluesi i INSID-it tregoi metodat të cilat i përdorin rekrutuesit për t’i joshur njerëzit t’i bashkohen kauzës së tyre.

“Rekrutuesit përfitojnë prej situatave, prej kaosit politik. Janë metodat si manipulimi me ndjenjat e njeriut, gjuha e butë që përdorin në fillim, keqinterpretimi i fakteve, marrin forcë nga gabimet që bëjnë politikat e mediat, e instalojnë te viktima që çdo gjë është kundër islamit dhe myslimanëve. Ky është fillimi. Vazhdimisht e bombardojnë personin me informacione të pavërteta, derisa personi vjen në një pikë ku s’ka kthim mbrapa. Investimi për këtë është afatgjatë. Shtete të ndryshme kanë investuar në radikalizëm. Siria është shembulli kryesor i atij investimi 20-vjeçar që ishte bërë në Kosovës”, ka thënë ai.

Në Kosovë ka potencial të rekrutuesve, të cilët operojnë për t’i joshur njerëzit drejt radikalizmit, shtoi Berisha. Ai bëri me dije se në Siri janë një numër relativisht i vogël i kosovarëve, të cilët nuk janë pjesë e ISIS-it, por të një organizate tjetër.

Instituti për Siguri, Integrim dhe Deradikalizim, që drejtohet nga Berisha, të premten ka lansuar edhe fushatën “MENDO”. Në tryezën e organizuar ka folur përfaqësuesi i Bashkësisë Islame, imami Vedat Sahiti. Ai ka numëruar fajtorët e radikalizmit. Ka përmendur shumë faktorë socialë e ekonomikë, madje edhe ndikimin e diskursit publik në media, por nuk ia kanë vënë ndonjë faj Bashkësisë Islame.

Ndërsa zv. kryeministrja Emilia Rexhepi ka thënë se Qeveria duhet të forcojë tutje mekanizmat kundër radikalizmit që burojnë nga strategjia kundër terrorizmit, si dhe të mbështesë më shumë fushata kundër kësaj dukurie.

Pjesëmarrësit e tjerë në diskutim kanë theksuar nevojën për reforma në arsim, derisa nëpërmjet paraqitjes online janë ndarë edhe përvoja nga shtetet e tjera.