Arbëri

Grenelli kritikon kongresistin që tha se Kosova gjithherë mirëpriti përfshirjen e SHBA-së në rajon

Foto: Reuters

Ish-i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka kritikuar kongresistin Bill Keating, i cili mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për energjinë mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Derisa Keating me anë të një shkrimi në Twitter, tha se Kosova gjithmonë ka mirëpritur përfshirjen e SHBA-së në Ballkan, Grenell e pyeti Keatingun nëse ka qenë në gjumë vjeshtën e kaluar, kur sipas tij, “Kurti refuzoi marrëveshjen për gazin amerikan".

“Kongresisti Keating thotë: Kosova ka mirëpritur gjithmonë përfshirjen e SHBA-së në vend dhe në Ballkan në përgjithësi. A ishte Keating në gjumë vjeshtën e kaluar kur Kurti refuzoi LNG-në e SHBA-së?! Kjo lloj dobësie nuk e ndihmon diplomacinë amerikane apo besueshmërinë tonë”, ka shkruar Grenell.

 

Keating e ka cilësuar këtë marrëveshje të arritur si investimi më i madh energjetik në historinë e vendit.

“Ky moment i rëndësishëm avancon marrëdhëniet SHBA-Kosovë dhe ambicien euroatlantike të Kosovës”, ka thënë ai.