Arbëri

KEDS-i konfirmon vështirësitë në sigurimin e kontratave për blerjen e energjisë

Descriptive Text

Çmimet e energjisë elektrike kanë shënuar rritje rekorde gjatë muajit korrik. Një megavat orë energji elektrike në bursa është shitur deri në 700 euro. Në KEDS thonë se kjo situatë ka krijuar pasiguri, duke vështirësuar arritjen e kontratave afatgjata për furnizim me energji. Prodhimi vendor gjatë dimrit do të shkojë deri në 780 megavat, ndërsa kërkesa për konsum bazuar në dimrin e kaluar ishte rreth 1.400 megavat

Kosova aktualisht importon vetëm 25 megavat për orë energji, ndonëse rritja e temperaturave ka ndikuar edhe në kërkesën për të, bëjnë të ditur zyrtarët e KEDS-it. Megjithatë, kriza energjetike me të cilën po përballen gati të gjitha vendet evropiane, sipas tyre, mund ta godasë edhe Kosovën gjatë dimrit. Sfidë për institucionet që kanë përgjegjësinë për sigurimin e energjisë nuk është vetëm çmimi që aktualisht në bursën ndërkombëtare është afro 500 euro për megavat, por edhe vështirësia e lidhjes së kontratave afatgjata për furnizim.

“Ofertat janë marramendëse, ne jemi në proces të evaluimit, mirëpo është pothuajse e pamundur që të hyhet në kontrata afatgjata, pasi siç e ceka fillimisht askush nuk shet energji elektrike. E dyta nëse një vend është në emergjencë të energjisë elektrike, atëherë ata ndërprenë, i bëjnë nul të gjitha kontratat e furnizimit me vendet e tjera. Nëse janë duke dërguar këtu dhe kanë mungesë për vete atëherë i bëjnë nul kontratat”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.

Sipas njohësve të fushës së energjisë, projeksionet janë që gjatë dimrit një megavat do të kushtojë deri në 1 mijë e 300 euro. Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, ka thënë në emisionin “60 Minuta” se këto çmime do të ndikojnë që të ketë rritje të tarifave të energjisë.

“Po përballemi me çmime të larta të importit të energjisë elektrike. Para 10 vjetëve, çmimi ka qenë diku 55 euro për megavat. Ka shkuar në dhjetëfishim në këta muaj të verës. Kriza në Ukrainë dhe mosfurnizimi i Evropës me gaz kanë shkaktuar këtë krizë dhe kjo reflekton në ngritje të çmimit të importit”, ka theksuar Abazi.

Nga KEDS-i kanë bërë thirrje te konsumatorët që ta kursejnë energjinë dhe të gjejnë alternativa për ngrohje gjatë dimrit.

“Tërë Evropa është futur në pasiguri, nuk dihet se cili do të jetë furnizimi, nuk dihet se sa do të jetë çmimi, nuk dihet se a do të ketë energji elektrike apo jo, pasi ne qysh tash kur jemi në stinën e verës jemi duke u ballafaquar me mungesa të ofertave. Hapim tender çdo ditë dhe nuk ka oferta. Pra, askush nuk dëshiron, edhe kur e shesin edhe me çmime të larta”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Një ditë më parë është kthyer në prodhim blloku i “Kosovës B”, pas remontit 25-ditor. Por, nga 1 gushti pritet që të fillojë remonti edhe në bllokun tjetër të këtij termocentrali.

Në KEK thonë se prodhimi gjatë dimrit planifikohet të jetë 780 megavat për orë, që është larg shifrave që janë regjistruar gjatë dimrit kur konsumi ka arritur deri në 1.400 megavat.

Aktualisht jashtë sistemit është edhe njësia A5, në të cilën janë duke u bërë disa riparime. Remontet, sipas KEK-ut, po bëhen me qëllim që të rritet siguria e operimit dhe stabiliteti i prodhimit të energjisë elektrike dhe termike gjatë sezonit dimëror. Por, në këtë ndërmarrje thonë se duhet merret në konsideratë fakti se njësitë gjeneruese të KEK-ut janë të vjetra.

KEK-u ditë më parë ka bërë të ditur se bazuar në marrëveshjen me Shqipërinë, të gjitha tepricat e energjisë është duke ia ofruar Korporatës së Energjisë së Shqipërisë dhe se deri tani janë deponuar rreth 90 mijë megavat. Ky deponim pritet që t’i kthehet Kosovës gjatë sezonit të dimrit, kur ka më tepër nevojë për energji.

“Lidhur me këtë çështje ju bëjmë me dije gjithashtu se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) bazuar në praktikat e mëhershme dhe marrëveshjeve reciproke kanë shkëmbyer energji elektrike me koeficientin 1:1. Vlen të theksohet se bazuar në marrëveshjet mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, KEK dhe KESH kanë filluar intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.