Arbëri

Varfëria, arsyeja më e shpeshtë pse fëmijët e komuniteteve pakicë lënë shkollën

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës, Sami Shahini, deklaroi se ka rënë ndjeshëm diskriminimi ndaj nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ndonëse sipas tij, problematik mbetet numri i ulët i nxënësve që ndjekin shkollimin deri në fund.

Shahini deklaroi në emisionin “60 Minuta” të enjten, se nxënësit e komuniteteve regjistrohen plotësisht në shkolla, por që nuk ndjekin shkollimin për shumë arsye, ndër kryesoret, është ajo ekonomike.

“Nxënësit vazhdojnë të kenë mungesa në shkolla, kemi pothuajse regjistrim të 100 për qind të nxënësve. Ka nxënës të rritur që nuk kanë ndjekur fare shkollimin por i janë kthyer nëpërmjet provimeve klasore. Në 10 vitet e fundit është vërejtur një përmirësim i integrimit në shkolla dhe sistem në klasa. Kemi ende sfida në vijimin e procesit”, deklaroi Shahini.

Shahini deklaroi se problematike është edhe kërkesa e prindërve shqiptarë, që kërkojnë që fëmijët e tyre të mos ulen me nxënës të komuniteteve.

Ai tha se fenomen është braktisja e plotë e shkollimit, e kjo sipas tij, bëhet pasi shumë nxënës detyrohen të punojnë.

“Arsyeja e mungesës kryesisht është puna, pasi shumë familje fëmijën e shohin si fuqi punëtore. Kjo është e theksuar në klasat 6-9, por edhe në ato të mesme, 10-12. Ndërsa, mosregjistrimi në shkollë të mesme është më i lartë”, deklaroi Shahini.

Drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë shtoi se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, përfitojnë bursa nga Ministria e Arsimit, me qëllim që t’i vijojnë mësimet. Ai tha se aktualisht, 600 nxënës të komuniteteve janë të regjistruar Fushë-Kosovë në ciklin e ulët, ndërsa 80 të tjerë në shkollimin e mesëm.

Në universitete publike, aktualisht 19 studentë të komuniteteve po i ndjekin studimet, ndërsa në tërësi, numri i studentëve romë, ashkali dhe egjiptianë nuk është mbi 50.

“Në DKA i kam pranuar 2 ankesa të prindërve të nxënësit ashkali. Janë ankesa që janë të njëjta me ankesat që vijnë nga prindërit shqiptarë, pra qasje jo e drejt e vlerësimit nga mësimdhënësit”, deklaroi ai.

Drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë tha se kjo komunë ka problem me numrin e madh të nxënësve, e sipas tij, ky numër po rritet dita-ditës.

“Jemi komuna me shkollat më të ngarkuara në tërë vendin, kemi klasa me 40 nxënës. Me hartimin e planeve të reja për ndërtim të lartë, gravitim të madh të popullatës, kemi edhe numër më të madh të nxënësve. Në tri vitet e fundit janë ndërtuar 3 shkolla. Në shkollën ‘Mihail Grameno’ është ndërtuar edhe një aneks i ndërtesës, për nxënës. Kemi pasur klasë me 50 nxënës, por nuk kemi më”, tha ai.