Arbëri

Sindikata e Aviacionit Civil ankohet në drejtorin, kërkon masa nga Komisioni

Descriptive Text

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil po kërkon nga Komisioni Parlamentar për Infrastrukturë masa ndaj drejtorit të AAC-së, Bujar Ejupi. Në këtë takim me Komisionin, me vendim të deputetëve nuk u lejua prezenca e mediave. Por KOHA ka siguruar fjalimin e sindikalistit i cili është ankuar në drejtorin se po shkel ligjet në fuqi dhe po u bën presion psikologjik punëtorëve.

Takimin me Sindikatën e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil, Komisioni Parlamentar për Infrastrukturë dhe Mjedis vendosi ta mbajë të mbyllur për mediat.

Ky propozim u dha nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili u përkrah edhe nga PDK-ja.

Kundër ishte deputeti i LDK-së por fuqia e tij e votës ishte shumë e vogël për t’i mbajtur mediat brenda.

Me të hyrë në Komision disa nga sindikalistet u emocionuan, që u dolën karshi deputetëve.

Pas largimit të mediave takimi me Sindikatën zgjati rreth dy orë.

KOHA ka arritur që t’i kuptojë shqetësimet e Sindikatës, që nuk deshën të bëheshin publike nga Komisioni.

Në fjalën e tij, sindikalisti Arianit Dobroshi u shpreh i dëshpëruar me deputetët e LVV-së, të cilët gati para dy javëve, me nguti e kanë kaluar Raportin e Punës së Drejtorit të Aviacionit, Bujar Ejupit për vitin 2021, pa e dëgjuar fillimisht sindikatën dhe bordin për shqetësimet, që kishin ngritur.

“Me këtë akt ju i keni dhënë dritën e gjelbër drejtorit Ejupi të vazhdojë me tejkalimin e kompetencave, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, shfrytëzimin e pozitës publike për hakmarrje personale ndaj operatorëve, që rregullon AAC, diskriminimin e anëtareve të SPAAC-it, për shkak të sinjalizimit edhe përkundër raportit të Avokatit të Popullit, keqpërdorimin e parasë publike, krijimin e favoreve keqpërdoruese për persona të dëgjueshëm, dëmtimin e imazhit të sektorit të aviacionit në nivel ndërkombëtar me pasoja afatgjate për vendin, dhe mbi të gjitha rrezikimin e sigurisë së operimeve”, ka thënë ai para deputetëve.

Ata u ankuan se drejtori duke marrë kompetenca të huaja, po lejon realizimin e operimeve ajrore mbi hapësirën e Kosovës në kundërshtim me legjislacionin dhe rregullat e sigurisë.

Para se Ejupi të emërohej drejtor në AAC, në qershor të 2020-s, Dobroshi thotë se ishte larguar nga tri pozita në Aeroport dhe ASHNA dhe sipas tij, emërimin në këtë institucion ai po e përdor me inate.

Në 5 muaj, sipas Dobroshit, Ejupi ka iniciuar 6 procedura disiplinore ndaj punëtorëve.

Pas përfundimit të mbledhjes, Dobroshi u deklarua për mediat, por nuk tha që të kenë marrë ndonjë premtim konkret nga Komisioni për shqetësimet e ngritura.

“Ata na kanë premtuar që do të punojnë në këtë drejtim, nuk kanë pasur premtime konkrete për ndonjë veprim të caktuar por mbetet të shihet”, ka thënë ai.

Për problemet me drejtorin e AAC-së, Sindikata i ishte drejtuar muajin e kaluar edhe Avokatit të Popullit, i cili kishte nxjerrë disa komente e rekomandime ku ndër të tjera kishte thënë se veprimet e menaxhmentit ndaj zyrtarëve krijojnë frikë dhe pasiguri dhe pengojnë lirinë e asocimit.