Arbëri

Dëshmia e fëmijëve: Nëna u keqtrajtua vazhdimisht, deri sa u vra nga babai

Descriptive Text

“Nuk është hera e parë që babai ka tentuar ta mbysë nënën. E ka provuar edhe verës me çarçaf ta mbys, ku unë i posedoj edhe fotot që ia kam bërë nënës pas rastit (dhe i njëjti fotot ia prezanton prokurorit). Unë atëherë kam dashur ta lajmëroj policinë, por ai filloi të qante dhe nëna dhe vëllai më bindën që mos ta lajmëroj policinë”, është dëshmia e përfshirë në aktakuzën që e ka siguruar KOHA, e të cilën e ka dhënë njëri prej fëmijëve të Lirije Qerimajt, e vrarë nga bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj

Lirije Qerimaj i ishte nënshtruar dhunës e keqtrajtimit të vazhdueshëm nga bashkëshorti i saj, përpara se të vritej nga ai në janarin e sivjetmë.

Dëshminë për dhunën sistematike ndaj së ëmës e kanë dhënë fëmijët e saj në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Përpara se Skënder Qerimaj të shkrepte në drejtim të bashkëshortes, institucionet e drejtësisë ishin në dijeni për dhunën që ai vazhdimisht e ushtronte, por asnjë veprim nuk ishte ndërmarrë për ta parandaluar vrasjen.

Qerimaj akuzohet për 4 vepra penale. Në aktakuzën 12-faqëshe të cilën e ka siguruar KOHA, ai akuzohet edhe për “lëndim të lehtë trupor” dhe “dhunë në familje”, krahas “vrasjes së rëndë” e “armëmbajtjes pa leje”.

Fjalosjen që i parapriju vrasjes, e edhe momentin kritik e kishte parë nga afër njëri nga fëmijët e çiftit. Në deklaratën e dhënë para Prokurorisë, 16-vjeçarja e ka përshkruar edhe momentin e vrasjes së të ëmës.

“Kur ka shkuar në kuzhinë e ka dëgjuar një krismë të armës, menjëherë ka vrapuar, ka hyrë në sallon dhe e ka parë babanë duke e goditur me grushte nënën, dhe posa ia ka parë armën babait në dorë, dëshmitarja ka vrapuar jashtë të kërkojë ndihmë tek axha, por pasi aty nuk ishte askush, menjëherë është kthyer dhe ka hyrë në sallon. Në ato momente e ka parë babanë duke shtënë me revole në drejtim të nënës. Ata kanë qenë shumë afër. Dëshmitarja është ofruar afër nënës, por ai prapë ka shtënë më armë. Nëna është rrëzuar në tokë”, është cituar në aktakuzë dëshmia e njërës prej vajzave të Lirije Qerimajt.

Dëshmitarja ka deklaruar se babai i saj kishte dalë nga shtëpia dhe ishte kthyer prapë dhe e kishte qëlluar me armë edhe njëherë nënë e saj.

Dëshmi kanë dhënë edhe dy fëmijë të tjerë të çiftit. Sipas tyre, Lirije Qerimaj vazhdimisht kishte qenë cak i dhunës fizike e psikike nga babai i tyre, por nuk ishte ndarë nga ai për shkak të fëmijëve.

Në dëshmitë e dhëna, kanë deklaruar se babai i tyre kishte tentuar ta vriste të ëmën me çarçaf edhe në korrikun e vitit 2021.

“Nuk është hera e parë që babai ka tentuar ta mbysë nënën. E ka provuar edhe verës me çarçaf ta mbysë, ku unë i posedoj edhe fotot që ia kam bërë nënës pas rastit (dhe i njëjti fotot ia prezanton prokurorit). Unë atëherë kam dashur ta lajmëroj policinë, por ai filloi të qante dhe nëna e vëllai më bindën që të mos e lajmëroj policinë”, ka thënë gjatë dëshmisë njëri nga fëmijët.

Në aktakuzë është përfshirë edhe deklarata e së ndjerës Lirije Qerimaj, të cilën e kishte dhënë në polici pesë ditë para se të vritej. Më 1 janar ajo e kishte raportuar dhunën që ia kishte shkaktuar bashkëshorti dhe kishte kërkuar urdhër-mbrojte, urdhër ky që ishte nxjerrë vonë – në ditën kur ishte vrarë.

“Prejse është martuar ka probleme dhe dhunë fizike dhe psikike dhe shpesh i pandehuri ka tentuar ta largojë nga shtëpia, dhe mbrëmë dhe sot i ka thënë ‘dil prej shtëpisë, se je kah më tradhton’. Edhe pse e njëjta është munduar ta bindë se nuk është duke e tradhtuar, se ka tre fëmijë, prapë pranon që të mos ndahet nga bashkëshorti, në rast se ai nuk ushtron dhunë ndaj saj. Por, cek se ka nevojë për urdhër-mbrojtje, por në rast se i pandehuri nuk e lejon të shkojë në shtëpi për momentin, e njëjta ka deklaruar se nuk di se ku të shkojë”, është përmbajtja e dëshmisë së të ndjerës që e kishte dhënë në Stacionin Policor në Skenderajt, më 1 janar.

Burri i saj nuk ishte ndëshkuar, por i kishte bindur zyrtarët policorë me fjalë se nuk do të shkaktojë më probleme.

Por për neglizhencën e institucioneve që i kushtoi me jetë Lirije Qerimajt, prokurorja Stojanka Kasaloviq ka marrë vetëm vërejtje publike me shkrim, pas një marrëveshjeje që e kishte bërë me Këshillin Prokurorial, duke e pranuar fajin.

Në vendimin e Këshillit Prokurorial janë dhënë detaje për rastin.

“Paneli hetimor gjeti se prokurorja Stojanka Kasaloviq ka qenë kujdestare në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, më datë 1.1.2022, kur është thirrur nga zyrtari policor i stacionit policor... i cili e kishte raportuar një zënkë në një familje, ku djali i cili ishte i rritur e kishte raportuar babanë, sepse ai e kishte larguar nënën nga shtëpia për shkaqe xhelozie. Meqenëse nuk kishte pasur dhunë fizike, s’kishte pasur recidivizëm dhe djali i viktimës kishte garantuar për sigurinë e nënës, prokurorja Kasaloviq nuk kishte marrë aktvendim për ndalim. Kishte udhëzuar që rasti të hapej për dhunë në familje, por në procedurë të rregullt edhe të informohet mbrojtësi i viktimave, por që më nuk është interesuar për rrjedhën e rastit”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Këshillit Prokurorial.

I akuzuari për vrasjen e bashkëshortes, ka deklaruar në Polici se në momentin kritik gruaja e tij i është gjuajtur në armë dhe se nuk e di se si është shkrepur arma, dhe ka theksuar se kishin pasur mosmarrëveshje për shkak të xhelozisë. Por, në Prokurori Skënder Qerimaj ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Në seancën fillestare të mbajtur në muajin e kaluar, ai ka thënë se nuk ndihet fajtor për asnjë nga akuzat që rëndojnë mbi të.

Megjithëse sipas ekzaminimit psikiatrik gjendja mendore e të akuzuarit është dhe ka qenë në rregull, avokati mbrojtës i tij, Elvir Imeri, ka thënë se ai ka dyshime se klienti i tij ka pasur dhe ka probleme mendore.