Arbëri

Komisioni për Mjedis e mbyll për media takimin me sindikatën e Aviacionit Civil

Komisioni parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim po e mban të mbyllur për media takimin me sindikatën e Aviacionit Civil të Kosovës (ACC).

Ky ishte propozim i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Salih Zyba, dhe që u mbështet nga anëtarët e tjerë të komisionit, përveç deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa.

“Nuk jam i vetëdijshëm që në ndonjë takim ne kemi vendosur t’i largojmë mediat, besoj që as atëherë as tash nuk duhet t’i largojmë mediat", ka thënë Mustafa.

Për mbyllje ndaj mediave, është shprehur për edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu.

“Duke marrë parasysh problemet në këtë institucion mendoj që problemet do të duhej të ishin të hapura edhe për mediat. Por që, meqë nuk i kemi takuar me media as drejtorin e as bordin, atëherë pajtohem të mos e takojmë me media as sindikatën”, ka thënë Musliu.

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, ka thënë se takimi i mbyllur do të mundësonte që të diskutohen hapur problemet e sindikatës.