Arbëri

Caktohen dy seanca të Kuvendit për këtë javë

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi të hënën se për këtë javë janë caktuar të mbahen dy seanca të Kuvendit.

Të enjten në orën 10:00 do të nisë seancë e rregullt me disa pika të rendit të ditës, ndërsa të premten do të vazhdojnë pikat e papërfunduara nga seanca e javës së kaluar.

Ajo tha se grupet parlamentare u morën vesh që në mesin e pikave, të shqyrtohet në lexim të dytë projektligji për financimin e partive politike, si dhe rregullimi i çmimeve të produkteve medicinale.

Nga Partia Demokratike e Kosovës deklaruan se projektligji për rregullimin e çmimeve është iniciativë e tyre.

“Si PDK kemi synuar ta rregullojmë çmimin e barnave, që qytetarët të mos paguajnë çmime të ndryshme për barnat e njëjta. Kjo iniciativë është e vitit 2019, e PDK-së. Ajo vjen sot përkundër se brenda komisioneve nuk kemi marrë mbështetjen e deputetëve të shumicës. Shpresojmë Kuvendi ta miratojë një projektligj në mënyrë që të mos rëndohet xhepi i qytetarëve. Presim që projektligji të merr mbështetjen e shumicës, është nevojë jo vetëm e atyre që çdo ditë kanë nevojë të blejnë çdo ditë, por iu ndihmon edhe kompanive farmaceutike në Kosovë”, deklaroi deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se AAK-ja ka kërkuar interpelancë për ligjin e pagave dhe për ligjin për zyrtarët publikë.

Ai tha se është e pakuptimtë që pika për ligjin e pagave të shtyhet, e të mos sillet në Kuvend.

“Qeveria ka dështuar, por edhe ligji për zyrtarët publikë. Shumë agjensione kanë nisur të bëjnë rregullore të brendshme për pagat, në mungesë të ligjit. Janë mbi 3 mijë vende pune që nuk po mbushen në mungesë të veprimeve të Qeverisë”, shtoi Tahiri.