Arbëri

Jasharaj: Jemi dakorduar me MASHT-in që s’do të ketë test me shkrim për mësimdhënësit

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se janë dakorduar me Ministrin e Arsimit që nuk do të ketë test me shkrim për punëtorët e arsimit.

Testi me shkrim për punëtorët e arsimit ka qenë i përfolur në opinion në kohën kur SBASHK-u organizonte protesta për të kërkuar rritjen e pagës. Megjithatë, Jasharaj edhe në ato kohë pati insistuar se nuk do ta lejonte një gjë të tillë.

“Kemi insistuar dhe mbase do të bëhet një lloj vlerësimi i punëtorëve të arsimit që quhet vlerësim i brendshëm nga drejtorit e pastaj edhe një vlerësim i jashtëm përmes inspektorëve. Ne jemi për vlerësim të tillë sepse duam të dimë se cili është niveli i punës që bëjnë punëtorët e arsimit, por jo test me shkrim”, ka thënë Jasharaj.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ndërkohë u shpreh se të gjithë mësimdhënësit duhet të duhet të marrin licencën bazë, të cilët mund ta mbajnë përmes vlerësimeve të rregullta që bëhen gjatë punës së tyre.

“Vlerësimi i mësimdhënësve është i paraparë edhe me ligj edhe janë duke u bërë ndryshime në legjislacion, mirëpo nuk nënkuptohet që ai vlerësim do të jetë vlerësim në formë të testit. Sa i përket vlerësimit ideja është që të gjithë mësimdhënësit marrin licencën bazë dhe të mund ta mbajnë përmes atyre vlerësimeve të rregullta që bëhen në punë. Ndërsa nëse kërkojnë licencë të avancuar atëherë zbatohen metoda të veçanta të vlerësimit që ende nuk janë vendosur”, tha ai.

Përderisa, drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, tha se vlerësimi duhet të jetë i vazhdueshëm e jo të bëhen në çdo pesë vjet. Ai shton se kjo do të tregonte për gjendjen në arsim, por edhe do të ndihmonte mësimdhënësit që të përmirësohen.

“Vlerësim të mësimdhënësve duhet të ketë në përditshmëri. Mirëpo ai vlerësim duhet të fillojë në momentin kur të rishikojmë legjislacionin aktual mbi vlerësimin e performancës së mësimdhënësve. Pra jo vlerësime një herë në 5 vjet, jo vlerësime ku të vlerësuarit janë më të kualifikuar se vlerësuesi, por vlerësime të mirëfillta, të standardizuara dhe kredibile që na tregojnë se kush është gjendja e cilësisë së mësimdhënies dhe më e rëndësishmja e ndihmojnë vetë mësimdhënësin për përmirësimin”, tha Qehaja. /EO