Arbëri

OVL e UÇK-së i konsideron ndërhyrje në drejtësi propozimet e Qeverisë

Problemet mes ekzekutivit e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare nuk do të zgjidhen as me propozimin e fundit të kryeministrit.

Ndërhyrje në drejtësi, po e konsideron propozimin e Qeverisë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së i kësaj organizate.

Klinaku ka thënë se me këto qeveria është duke bërë vetëm lojë.

“As ligj apo as vlerësim as verifikim, as kategorizim nuk mund të bëhen derisa të gjitha dosjet janë në Prokurori e dhe lënda është në gjykatë, ti nuk mundesh me bë as vlerësim, as verifikim të njerëzve mbi bazën e një emri që është aty, ti s’mundesh me i bë përmendësh”, tha Klinaku.

Ai ka shtuar se së shpejti do t’i kthejnë përgjigje qeverisë, porse nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre, që derisa të bëhet një ligj i ri, të përfshihen në rritjen e pagës minimale.

“Natyrisht se ne nuk do ta vonojmë mbi një muaj siç e ka vonuar ai një shkresë, ne do t’i kthejmë së shpejti pasi të takohemi me organet e mia drejtuese, dhe edhe pse i kthejmë përgjigje ne do t’i kërkojmë takim”, shtoi ai.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan gjatë qershorit, duke kundërshtuar mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale, teksa protestë kanë paralajmëruar edhe në rast se Projektligji dërgohet për lexim të dytë në Kuvend.

Për t’i shmangur protestat, kryeministri u bëri ftesë veteranëve për të gjetur një zgjidhje, por takimi përfundoi pa marrëveshje.

Një ditë më parë, Kryeministria njoftoi se Kurti u ka dorëzuar me shkrim propozimet, për zgjidhjen e çështjes me veteranët.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, në propozimet e Kurtit, është hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit të kryhet në një kohë sa më të shpejtë.

Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, ka thënë Kryeziu, kryeministri Albin Kurti ka propozuar përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.