Arbëri

Qeveria kërkon verifikim me ligj të ri - OVL UÇK: Derisa të bëhet ligji ri, vlen i vjetri

Descriptive Text

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Faton Klinaku, ka thënë se deri në hartimin e ligjit të ri, vlen ligji i vjetër i cili sipas tij, parasheh të rritet paga minimale.

Klinaku reagoi pasi Qeveria ia dërgoi organizatës një propozim të mërkurën, ku i kërkohet që bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.

Klinaku tha se ligji i ri nënkupton ndërhyrje në procesin gjyqësor.

“Aplikimi, vlerësimi dhe verifikimi i veteranëve është bërë mbi bazë të ligjit. Për çdo shkelje të ligjit janë organet kompetente, dhe pas thirrjeve tona, ka filluar proces gjyqësor dhe lënda është në gjykatë. Deri sa të bëhet ligj i ri, vlen ligji i vjetër, pra duhet të rritet paga minimale në Kosovë e krahas saj edhe beneficioni i veteranit që lidhet me të. Ligj i ri për vlerësim e verifikim, përveç dosjeve që janë në prokurori e nuk ka se si bëhet, është edhe ndërhyrje në procesin gjyqësor”, tha Klinaku.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri e ka dërguar propozimin dhe se pret që hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit të kryhet në një kohë sa më të shpejtë.

Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, ka thënë Kryeziu, kryeministri Albin Kurti ka propozuar përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.

“Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit”, tha ai. “Alternativë ndaj këtij propozimi të Kryeministrit Kurti mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve, i cili në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”.