Arbëri

Lista Serbe: Kurti, i vetmi që kërcënon paqen në rajon

Lista Serbe e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se është i vetmi njeri që kërcënon paqen në rajon.

Në një komunikatë për media të merkurën, Lista Serbe ka thënë se Kurti synon të shkaktojë kaos në mesin e serbëve.

“Me lëvizjet e njëanshme, Albin Kurti po synon të marrë poenë të lirë politikë, duke provokuar popullin duarthatë serb dhe në këtë mënyrë është i vetmi që kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë rajon, i vetëdijshëm se nuk është në gjendje të përmirësojë jetën e shqiptarëve, e as të përmbushë ndonjë premtim të vetëm të fushatës”, thuhet në reagim të Listës Serbe, pak pasi Kurti në një konferencë për media u shpreh se “ata që janë në listën e zezë të SHBA-së kanë interes për të destabilizuar rajonin”, duke iu referuar nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Lista Serbe ka thënë se Qeveria ka keqpërdorur autoritetin dhe ka përdorur “forcë të brutale ndaj serbëve duarthatë në veri të Kosovës, por edhe në jug”. Sipas pretendimeve të kësaj partie, Kurti po dëshiron të krijojë kushte që serbët të detyrohen të largohen.

Kjo parti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që “të mos heshtin ndaj kërcënimeve ndaj paqes” dhe që “të ndalin Kurtin nga provokimi i konflikteve”.