Arbëri

Boletini: RTK-ja është ende në situatë emergjente sa i përket aspektit buxhetor

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar edhe Raportin e Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën prill-qershor 2022 dhe kërkesën për ndarje buxhetore për RTK-në për periudhën korrik-shtator 2022.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja, ka thënë se për tërë vitin 2022 RTK-së nga buxheti i vendit i janë ndarë 8 milionë e 960 mijë euro. Përfaqësues të Bordit dhe menaxhmentit të RTK-të kanë arsyetuar shpenzimet dhe kërkesat për buxhet për këtë institucion.

Kryetari i Bordit Besnik Boletini, ka thënë se tremujorin e kanë përmbyllur me 67 mijë euro plus. Por sipas tij është shqetësuese fakti që shumica e buxhetit ende shkon në paga.

“Ajo që mund të them është se ende jemi në një situatë emergjente financiare sa i përket aspektit buxhetor. Në nivel vjetor rreth 81 për qind e buxhetit shkon për paga, në këtë tremujor ka qenë 87 për qind në paga, krahasuar me shpenzimet e tjera, gjë që është shqetësuese, por kjo shifër ka qenë më e lartë viteve të kaluara”, është shprehur Boletini.

Ndërsa drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se vlera e borxhit që RTK ka ndaj të tjerëve është 1.6 milionë euro.

Ai ka thënë se për mënyrën se si do ta paguajnë këtë borxh të trashëguar do të marrin një vendim dhe do të kërkojnë edhe ndihmën dhe mendimin nga Kuvendi i Kosovës se si do t’i qasen.

Komisioni ka miratuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financim të Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Marrëveshja në fjalë në komision është arsyetuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai ka thënë se me këtë marrëveshje Kosova përfiton një kredi prej 50.6 milionë euro dhe kjo mbështetje sipas tij vjen si rezultat i rritjes së besueshmërisë në institucionet e Kosovës.

Murati ka treguar se afati i kthimit të këtyre mjeteve është 30 vite dhe norma e interesit për këtë kredi është 1.25%.