Arbëri

Minxhozi: Kosova nuk duhet t’i përsërisë gabimet e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se gabimet e Shqipërisë nuk duhet të përsëriten në Kosovë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Minxhozi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se pas hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, rruga drejt BE-së nuk është e largët as për Kosovën.

“Ky duhet të jetë lajm i mirë edhe për Kosovën, do të jetë një indicie e madhe për të thënë që rruga për në Evropë nuk është aq larg nëse ne do të ndërmarrim disa reforma që duket se janë tepër të rëndësishme. Gabimet e Shqipërisë nuk duhet të përsëriten në Kosovë dhe jam i bindur që edhe Kosova me hapat që po bën, urojmë që sivjet të jetë liberalizimi i vizave, të shkojë drejt rrugës për afrimin me familjen e madhe evropiane”, tha ai.

Minxhozi shprehet i sigurt se Shqipëria do të anëtarësohet shpejt në BE, pa pritur me dekada ashtu si Serbia dhe Mali i Zi të cilat kanë hapur negociatat vite më parë por që kanë ngecur.

Sipas tij, ka vullnet politik të ndërkombëtarëve që ky proces të përfundojë më shpejt me qëllimin që të ketë rajon të sigurt.

“Besoj se do ndodhë më shpejt. Gjithsej janë 35 kapituj për t’u parë, për t’u studiuar dhe mendoj që ka një gatishmëri te klasa politike e Shqipërisë që ky proces të ecën me hapa më të shpejtë. I gjithë rajoni është vonuar te ky proces, por e rëndësishme është që rrethanat gjeopolitike në rajon kanë ndryshuar si rezultat i krizës së Ukrainës. Reflektimi nuk është thjesht nga klasa politike e vendeve tona por është edhe i faktorit ndërkombëtar, sidomos euroatlantik që të kemi një rajon të qetë, pa probleme, pa kriza”.