Arbëri

KEDS-i kërkon shqyrtim të tarifave, shkak mossubvencionimi nga Qeveria

Gjykata pezullon vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë

Kriza energjetike në nivel global, si dhe importi gjatë muajve të dimrit mund të ndikojnë që çmimi i rrymës të rritet edhe në Kosovës. Burime të KOHËS kanë thënë se KEDS-i tashmë ka bërë kërkesë për shqyrtim të tarifave. E shkak për këtë është mossubvencionimi i tarifave nga Qeveria, ashtu siç është zotuar. Edhe pse në ZRRE nuk kanë konfirmuar kërkesën, kryesuesi i Bordit, Ymer Fejzullahu, paraprakisht nuk e ka përjashtuar mundësinë për rishikim të jashtëzakonshëm të tarifave

Një kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave ka parashtruar KEDS-i, pasditen e së martës, në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se kërkesa është bërë pasi Qeveria nuk ka ndarë mjetet e zotuara për subvencionim siç parashihet në vendimin për tarifat e energjisë.

Lidhur me këtë kërkesë, KOHA ka provuar që ta marrë një përgjigje nga kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, por ai nuk është përgjigjur.

Ministrja Artane Rizvanolli, ditë më parë në emisionin “60 Minuta” të “KTV”-së, ka thënë se 20-milionëshi i parë i ndarë për KEK-un është shpenzuar plotësisht; nga subvencioni i dytë prej 10 milionë eurosh, janë shpenzuar tre; shtatë milionë euro ka thënë se gjenden në llogarinë e KEK-ut.

Ndërsa për 90 milionë eurot tjera të ndara, Rizvanolli ka thënë se ato ende janë në Thesarin e Qeverisë.

Por, paraprakisht Fejzullahu në një konferencë për media, pas takimit me deputetë të AAK-së, ka thënë të martën se nëse çmimi i rrymës rritet në tregun ndërkombëtar, atëherë tarifat duhet të rishikohen edhe në Kosovë.

“Ne në përfundim të vitit të kaluar e kemi hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm dhe e kemi përmbushur në shkurt të këtij viti. Deri më tani nuk janë plotësuar kërkesat ose kriteret ligjore për një shqyrtim tjetër të jashtëzakonshëm. Prandaj kjo është përgjigjja që mundem me dhënë deri në këtë moment. Por përjashtim nuk bëhet, pasi nuk varen prej ZRRE-së”, ka thënë Zejnullahu.

Ndërkaq, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se aktualisht situata me furnizim është stabile.

“Është duke u prodhuar rreth 500 megavat nga KEK-u, një pjesë minore nga prodhuesit e energjisë së ripërtritshme, ndërsa pjesa tjetër nga 60 deri në 70 megavat në orë është duke u importuar nga tregjet e jashtme”, ka thënë Buzhala.

Sipas tij, një megavat i energjisë së importuar këto ditë është paguar deri në 500 euro, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është pesëfish më shtrenjt.

Por, në KEK thonë se gjatë sezonit dimëror planifikohet që të prodhohen rreth 780 megavat energji elektrike dhe 140 megavat energji termike, e cila shërben për ngrohje.

Tani KEK-u është duke bërë remont të blloqeve në termocentralin “Kosova B”.

“Aktualisht jemi duke realizuar remontin e rregullt vjetor në njësinë B1, që pritet të përfundoj në muajin korrik, ndërsa në muajin gusht do të realizohet remonti edhe në njësinë B2 të TC “Kosova B”. Para sezonit dimëror edhe në TC “Kosova A” do të realizohen dy revizione, një në njësinë A-3 (1-25 tetor) dhe një në njësinë A-4, (1-25 shtator) ndërsa në njësinë A5 pritet të realizohet riparimi kapital (i turbinës, gjeneratorit dhe kaldajës)”, ka thënë Skënder Bucolli, drejtor i departamentit për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete në KEK.

Remontet sipas tij, po bëhen me qëllim që të rritet siguria e operimit dhe stabiliteti i prodhimit të energjisë elektrike dhe termike gjatë sezonit dimëror. Por, thotë se duhet merret në konsideratë fakti se njësitë gjeneruese të KEK-ut janë të vjetra.

KEK-u ka bërë të ditur se bazuar në marrëveshjen me Shqipërinë, të gjitha tepricat e energjisë është duke ia ofruar Korporatës së Energjisë së Shqipërisë dhe se deri tani janë deponuar rreth 90 mijë megavat.

Ky deponim pritet që t’i kthehet Kosovës gjatë sezonit të dimrit, kur ka më tepër nevojë për energji.

“Lidhur me këtë çështje ju bëjmë me dije gjithashtu se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) bazuar në praktikat e mëhershme dhe marrëveshjeve reciproke kanë shkëmbyer energji elektrike me koeficientin 1:1. Vlen të theksohet se bazuar në marrëveshjet mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, KEK dhe KESH kanë filluar intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.