Arbëri

Opozita në Kosovë uron Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut për nisjen e negociatave

Liderët e partive opozitare, PDK dhe AAK, kanë uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ky është një proces më se i merituar për të dy vendet, të cilat sipas tij, me punë, angazhim e vetëmohim, kanë dëshmuar se janë gati dhe e meritojnë shansin historik për anëtarësim në BE.

“Urime e përgëzime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një proces më se i merituar për të dy vendet, të cilat, me punë, angazhim e reforma, kanë dëshmuar se janë gati dhe e meritojnë shansin historik për t'u bërë pjesë e BE-së”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Më tej, ai ka thënë se është lajm i mirë që Bashkimi Evropian, pas shumë vonesave, herë të kuptueshme e herë jo, më në fund ka vendosur që në Ballkanin Perëndimor të rikthejë shpresën dhe optimizmin.

“Uroj që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë sot, të avancoj edhe me liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës – si një e drejtë themelore dhe e merituar tash e sa vjet”, ka shkruar ai.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përgëzuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërkohë që është shprehur optimist se ky hap do të shkurtojë rrugën e integrimit të Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.

“Shqipëria sot hyn në rresht me botën demokratike perëndimore. Hapja e negociatave shënon një moment historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, siç është datë historike edhe për Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët e saj. Dua të besoj fuqishëm se një hap i tillë e shkurton rrugën e integrimit edhe të Kosovës dhe Bosnjës, me çka do të përmbyllej projekti i përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane. Shpresojmë që hapi i parë, drejt këtij integrimi të ndodh në këtë vjeshtë me liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka shkruar ai në Facebook.