Arbëri

Beogradi vlen vetëm për Serbinë

Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini është në Ballkan në një mision më të vështirë nga ai që solli marrëveshjen bërthamore të SHBA-së dhe Iranit.

Kështu shkruan ish –ministri britanik për Europën e Ballkanin Denis MacShane në portalin Euractiv, transmeton koha.net.

Ai thekson se Mogherini ka arritur në Ballkanin Perëndimor i cili "mbetet rajoni më problematik i Europës edhe 20 vjet pas vrasjes më masive të civilëve të pafajshëm në Srebrenicë që nga paslufta".

"Ministrat e Punëve të Jashtme dhe liderët e vendeve të mëdha europiane kanë humbur interesin të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor në gjetjen e mënyrës për zgjidhjen e konflikteve shteruese. Më nuk po paraqiten as Berlini, as Londra, as Parisi dhe as Roma. E gjitha ka mbetur në Mogherinin e cila duhet të dëshmojë se Europa ka mënyrë të vërë paqen përfundimtare në këtë pjesë të Europës”, ka theksuar MacShane.

Sipas fjalëve të tij, në vitet e 90-ta është parë se si nacionalizmi mund të sjellë te lufta e hapët dhe se si më shumë se një milion njerëz “kapërcyen” Alpet në kërkim të jetës së qetë.

"Mogherinin nuk e ndihmojnë as vendet tjera, si Spanja, e cila refuzon ta njohë shtetësinë e Kosovës, edhe pse këtë e kanë bërë 120 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Fiksioni se Kosova është pjesë integrale e Serbisë e cila tash e një kohë është jashtë ingerencave të Beogradit nuk mund të kuptohet më seriozisht. Greqia po ashtu ia vështirëson jetën me reagimin e vet nacionalist drejt maqedonasve", shton MacShane.

Ish –diplomati thekson se problemi kryesor për Mogherinin është “revanshizmi serb".

"Kremlini përkrah serbët dhe dëshiron të bëhet lojtar në Ballkanin Perëndimor. Nacionalistët serbë trimërojnë pakicën serbe në Bosnjë e në Kosovë të refuzojnë çdo bashkëpunim dhe që këto shtete t’i bëjnë të paafta për funksionim. Serbët u përfshinë në komplotin në Mal të Zi, po vazhdon edhe fushata për zgjedhjet presidenciale në të cilën shumica e kandidatëve luajnë me letrën se serbët janë viktima dhe me qëndrimin e fortë për Kosovën e Bosnjën. Serbët e dinë se nuk kanë shans të hyjnë në BE nëse mbeten në politikën e viteve të '90 –ta dhe duhet ta pranojnë se Beogradi vlen vetëm për Serbinë e jo për shtetet përreth. Asnjë lider serb nuk është i gatshëm t’ia thotë popullit serb të vërtetën”, thekson MacShane.