Arbëri

Bislimi akuzon Serbinë për sabotim të dialogut

Dy takime të nivelit të lartë, të planifikuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë dështuar për shkak të Beogradit zyrtar, ka thënë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, ai ka thënë se njëri takim i planifikuar mes tij dhe shefit të delegacionit serb ka dështuar e ngjashëm edhe një mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i paraparë për këtë fillimjavë. Sipas tij, procesi i dialogut është duke u përballur me sabotim e minim nga Serbia

Nuk kanë dhënë rezultat tentimet për të aranzhuar në këtë fillimjavë një takim në mes të kryeministrit Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Një takim i tillë ishte thënë se do të mbahej më 19 korrik, por, sipas palës kosovare, Serbia është duke treguar mungesë të seriozitetit në procesin e dialogut.

Takimi i fundit në mes të Kurtit e Vuçiqit është mbajtur para një viti.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bilsimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës në dialogun e Brukselit, të hënën gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane ka hedhur akuza në drejtim të palës serbe për mosangazhim në procesin e dialogut. Ai ka thënë se edhe takimi në mes tij dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i planifikuar të mbahej më 14 korrik ka dështuar, pasi pala serbe ka bërë presion për ndërrim të agjendës së takimit, gjë që, sipas tij, nuk është pranuar nga pala kosovare.

“Kemi një sabotim apo minim të procesit nga Serbia, por, megjithatë, për të treguar vendosmërinë e palës së Kosovës që të jemi aktivë në dialog dhe të punojmë drejt marrëveshjes finale, unë kam udhëtuar në Bruksel dhe i kam pasur dy takime me z. Lajçak, ku kemi diskutuar për hapat e mëtejmë”, është shprehur Bislimi.

Ai ka thënë se ideja e takimit trilateral ka qenë që të përgatitet terreni për takimin e radhës mes Kurtit e Vuçiqit, për të martën.

“Po ashtu edhe kjo ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së zotëri Vuçiqit që të shkojë në Bruksel. Zotëri Kurti është deklaruar i gatshëm që sa më shpejt të fillojë diskutimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, por Vuçiqi ka nxjerrë si arsyetim vizitën e presidentit të Egjiptit, i cili pritet të qëndrojë tri ditë në Serbi”, ka theksuar Bislimi.

Ai ka deklaruar se ka një angazhim e vullnet maksimal të Kosovës që të jetë aktive dhe të punojë drejt marrëveshjes finale në dialog dhe se ka reflektim të BE-së e cila, sipas Bislimit, në çdo raport që dërgon thekson se Kosova është konstruktive dhe e angazhuar. Por, ka thënë se ka mungesë totale të seriozitetit dhe angazhimit nga Serbia në këtë drejtim.

Gjatë raportimit të Bislimit në Komision deputetët e opozitës kanë kritikuar Qeverinë për punën rreth proceseve integruese të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se shumica e ligjeve që kanë të bëjnë me Agjendën për Reforma Evropiane (ERA) nuk janë miratuar.

“Nuk ju kemi thirrur për të na dhënë statistika, nuk ju pyet për ata. Fjala ishte për projektligjet për ERA 2, ku në këtë dokument që e kam, 41 projektligje janë paraparë për vitet 2021-2023. Deri tani kanë kaluar vetëm 6 projektligje”, është shprehur Krasniqi.

Asaj i është kundërpërgjigjur Bislimit duke i thënë se Qeveria në 12 muajt e fundit ka miratuar 119 projektligje.

“Është numri më i madh i projektligjeve që është miratuar ndonjëherë në Qeverinë e Kosovës”, është shprehur Bislimi, duke thënë se disa prej projektligjeve janë në procedurë në Kuvend.

Bislimi ka thënë se Qeveria assesi nuk e ndan opinionin me opozitën se ka pasur vonesa, ngecje ose dështime, sa i përket agjendës për reformë evropiane.

“Mendoj që sa më herët ky fjalor të korrigjohet, do të jetë më mirë për ecurinë e proceseve të vendit në tërësi. Nuk është mirë që në raport me BE-në ne me pasë opozitë partitë politike në Kosovë. Në raport me BE-në kisha dashur që ne të jemi së bashku dhe t’i shtyjmë agjendat përpara edhe të mos raportojmë në Kosovë të kundërtën që e raportojmë në Komisionin Evropian”, është shprehur Bislimi.

Ai ka thënë se nuk mendon që partitë opozitare fitojnë diçka, duke u munduar që sukseset e Qeverisë, t’i paraqesin si dështime.

“Ajo që kemi bërë ne në vitin e kaluar është shumë, shumë, shumë më e mirë sesa ajo që është bërë deri vitin e kaluar në agjendën e integrimeve evropiane, dhe është shumë më e mirë se ajo që kanë bërë vendet e rajonit. Mendoj që këtë narrativë është mirë ta mbrojnë edhe partitë e tjera politike”, është shprehur Bislimi.

Pas kësaj ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka thënë se nuk mund ta ndajë Qeverinë nga Kuvendi.

“Kisha pas shumë dëshirë që këtë reflektim që e keni ju sot në raport me punën që po e bëni, që madje as gjumin s’po mund ta bëni, me e pa pak në një prapakthim tuajin, në raport me kohën kur ju keni qenë në opozitë dhe diskursin që ju e keni pasur në raport me proceset integruese. Natyrisht ju jeni partia që as Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, një prej kontratave të para të Kosovës me BE-në nuk e keni votuar. Tash nëse i kthehemi çështjes së projektligjeve, unë nuk mund t’ju ndajë juve nga Kuvendi, sepse ju e keni gjithë pushtetin, i keni numrat”, ka theksuar Deliu-Kodra.

Ajo gjithashtu ka thënë se Kuvendi i Kosovës është totalisht në terr informativ sa i përket procesit të dialogut Kosovës-Serbi.

“Mendoj që një përfshirje, një ndarje e vijave të kuqe nga Qeveria do t’i ndihmonte edhe opozitës për qasjen e saj në këtë dialog. Ju e dini që ne kemi folur hapur si PDK sa i përket procesit të dialogut, a janë përcaktuar pikat e marrëveshjes finale dhe a do të ketë samit të liderëve me Bidenin gjatë vjeshtës siç ka pasur diskutime”, ka theksuar Deliu-Kodra.

Sipas saj, ka “degradim” në procesin e dialogut.

“U përmend marrëveshja për energjinë. Zotëri Bislimi, prej marrëveshjeve politike të cilat kanë qenë bukur serioze me përmbyllë marrëveshjen, që kanë synuar përmbylljen e marrëveshjes, e keni kthyer në nivelin e tabelave të kerreve dhe stikersave, unë besoj që e keni zor me ju marrë gjumi”, ka ironizuar Deliu-Kodra, pas deklaratës së një dite më parë të kryeministrit Albin Kurti, sipas të cilit nga mëngjesi e deri kur të bjerë në gjumë Bislimi për preokupim e ka zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

Bislimi ka thënë se procesi i dialogut nuk duhet të shndërrohet në arenë të konflikteve para mediave derisa ka treguar për ftesat për bashkëpunim me opozitës që, sipas tij, nuk janë dëgjuar nga liderët opozitarë.

“Për dijeninë tuaj, kur kemi filluar ne me procesin e dialogut i kemi ftuar liderët politikë që të vijnë të diskutojnë, ku do t’i informojmë ata për elementet dhe si do të ecim përpara. Lideri juaj nuk ka ardhur fare. Ka thënë që s’i intereson. Lideri i LDK-së ka ardhur dhe ka thënë që do ta keni mbështetjen tonë nëse e zbatoni reformën e LDK-së, që i ka marrë 10%, në duam ta zbatojmë platformën e 50%, për atë kemi marrë mandat. Mua s’më ka zgjedhur Lumir Abdixhiku, por Albin Kurti në krye të negociatave. Lideri juaj (AAK-së) kur e kam informuar se ja kam dërguar një material 7-faqesh për dialogun, ka thënë se e ka shqyer dhe e ka gjuajtur në bërllok, sepse ka thënë se i hap vetëm dokumentet nga kryeministri”, është shprehur Bislimi.

Në Komision është diskutuar dhe miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Partneritetit për Kornizën Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Paraanëtarësimit (IPA III).