Arbëri

Presidenca hesht për kryeprokurorin e shoqëria civile pret vendim brenda pak ditësh

Presidenca për sulmin ndaj policisë: Serbia po synon destabilizimin e Kosovës

Ende nuk dihet nëse dhe kur do të dekretohet Blerim Isufaj, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Derisa Presidenca hesht, në shoqëri civile presin që kjo çështje të marrë epilog brenda pak ditësh

Tash e tre muaj pozita e kryeprokurorit të shtetit ka mbetur me ushtrues detyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ende nuk dihet nëse dhe kur do ta dekretojë Blerim Isufajn, i propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Në muajt e kaluar nga Zyra e Presidencës është thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me ankesat e dy kandidatëve të tjerë. Por, tashmë që kjo gjykatë shpalli të papranueshme ato ankesa, Zyra e Presidencës ka vendosur të heshtë rreth kësaj çështjeje.

KOHA që nga e marta ka pyetur zyrtarë të Presidencës, se kur pritet të vendoset për këtë pozitë dhe nëse janë në pritje edhe të ndonjë vendimi tjetër, por nuk ka marrë përgjigje.

Ditë më parë Gjykata Kushtetuese shpalli të papranueshme ankesat e Shqipdon Fazliut e Armend Hamiti, të cilët kishin kontestuar kushtetutshmërinë e propozimit të Isufajt në krye të Prokurorisë së Shtetit.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat e bashkuara në rastet KI 57/22, parashtruar nga Shqipdon Fazliu dhe KI 79/22, parashtruar nga Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët e kontestojnë kushtetutshmërinë e Vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e z. Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Gjykata vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Procesi i përzgjedhjes së Isufajt ishte kontestuar edhe nga shoqëria civile e nga ambasadat e huaja. Ehat Miftaraj nga IKD-ja thotë se Kushtetuesja ia ka lënë presionin presidentes, në mungesë të profesionalizimit.

“Vendimi i fundit i kësaj gjykate në njëfarë mënyre na ka dëshmuar se kjo gjykatë fatkeqësisht ka mungesë të kryqëzimit profesional dhe njëfarë mënyre e ka lënë çështjen pezull dhe tërë presionin në njëfarë mënyre e ka dërguar te presidentja e Republikës së Kosovës, e cila duhet të marrë një vendim në lidhje me dekretimin ose jo të kryeprokurorit të shtetit”, është shprehur Miftaraj.

Sipas tij, presidentja brenda 10 ditësh duhet të marrë një vendim për këtë çështje.

“Tashmë topi është te presidentja e Republikës së Kosovës, e cila më nuk ka nevojë që të themi të presë kohë më të gjatë, sepse vendimi i saj do të jetë përfundimtar, me vetë faktin se rasti në tavolinën e saj është me muaj të tërë dhe tashmë javën e kaluar kishin edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, unë besoj që presidentja gjatë kësaj jave ose javën e ardhshme do të duhej dhe është legjitime të marrë një vendim për këtë proces”, shtoi ai.

Pas përfundimit të mandatit 7-vjeçar të Aleksandër Lumezit, pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit e mori Besim Kelmendi.

Përbërja aktuale e KPK-së bazohet në ligjin e vjetër për këtë institucion. Megjithëse ministrja Albulena Haxhiu që në javët e para si ministre pati deklaruar që anëtarët e këtij këshilli i takojnë një sistemi që i bëjnë favore njëri-tjetrit dhe se në këtë mënyrë kanë zgjedhur edhe kryeprokurorët.

Për këtë arsye ajo ka iniciuar ndryshimin e ligjit aktual.

Me ligjin e ri që ka kaluar, pjesa më e madhe e anëtarëve aktualë do ta humbin mandatin. Përbërja e re e KPK-së në rast se nuk do të dekretohet Isufaj kësaj radhe, mund të jetë përcaktuese për emrin e ri të kryeprokurorit të shtetit.