Arbëri

Kurti takon policët që ishin në Leposaviq, u premton mbështetje të plotë

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të dielën me policët që morën pjesë në aksionin kundër kontrabandës në Leposaviq, ku pesë prej tyre u plagosën.

Zyra e kryeministrit tha nëpërmjet një komunikate se Kurti iu shprehi falënderim e mirënjohje policëve për trimërinë dhe profesionalizimin, derisa të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.

“Ai theksoi që shteti ligjor dëshmohet me punën e zellshme të prokurorisë dhe efikase të gjyqësorit. Në mungesë të këtyre të fundit, aksionet e Policisë e me këto sigurimi i rendit publik, mbeten të papërfunduara. E për të dëshmuar përkushtimin dhe aftësinë në vendosjen e sundimit të ligjit, duhet pritur veprimet e mëtutjeshme të prokurorisë, u shpreh ai”, thuhet në komunikatë.

Sipas Kurtit, luftimi i krimit të organizuar dhe vendosja e rendit e e ligjshmërisë mbeten ndër prioritetet e Qeverisë. Ai tha se Policia e Kosovës do ta ketë gjithmonë mbështetjen e plotë.

“Policia jonë çdo ditë demonstron vendosmëri dhe shkathtësi për të siguruar ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës. Përderisa puna profesionale e policëve ka arritur të sjellë personat e dyshuar para drejtësisë, kjo e fundit, në këtë rast Prokuroria, liron njërin të dyshuar në procedurë të rregullt, sipas pohimeve të policëve”, thuhet në njoftim.