Arbëri

Mungesa e mjekëve e vështirëson organizimin e kujdestarive në Spitalin e Prizrenit

Descriptive Text

Organizimi i kujdestarive në disa reparte të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit po sfidohet nga mungesa e mjekëve specialistë. Menaxhmenti i ri i Spitalit ka theksuar se në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës po punohet për gjetjen e zgjidhjes së duhur. Personel shtesë është kërkuar edhe për menaxhimin e pandemisë.

Menaxhmenti i ri i Spitalit të Përgjithshëm në Prizren po përballet me vështirësi në angazhimin e mjekëve specialistë në disa reparte. Një gjë e tillë po ndikon edhe në organizimin e kujdestarive.

Sipas drejtuesve të këtij institucioni shëndetësor, kërkesat janë adresuar në Ministri të Shëndetësisë dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për gjetjen e një zgjidhjeje, sikurse edhe për shtimin e numrit të personelit mjekësor e teknik në rast të përkeqësimit të situatës me pandeminë Covid-19.

Drejtoresha e re e këtij Spitali, Narqize Arënliu-Hoxhaj, ka bërë të ditur se synon avancimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe edukimin e vazhdueshëm të punonjësve, derisa menaxhimi i pandemisë mbetet prioritet. Në mesin e sfidave ka përmendur mungesën e mjekëve.

kemi sfidë në angazhimin e mjekëve. Kemi mungesë të mjekëve për kujdestari. Kjo është sfida për momentin, për të cilën jam në bisedime me ministrin e Shëndetësisë për një zgjidhje, që do ta zgjedhin shumë shpejt edhe me drejtorin e SHSKUK-së”, ka thënë ajo.

Sipas saj, te niveli qendror është paraqitur edhe kërkesa për afër 90 punonjës në rast të përkeqësimit të situatës me pandeminë.

“Në takimin që patëm me drejtorin e SHSKUK-së, kemi kërkuar staf shtesë në rast se vjen deri te rritja e numrit të pacientëve të infektuar me COVID-19. Diku ka qenë numri i kërkuar 86, edhe staf mjekësor, edhe staf teknik", është shprehur drejtoresha e Spitalit.

Ndërkaq drejtori mjekësor i Spitalit të Prizrenit, Hasan Arzoallxhiu, ka theksuar se ikja e mjekëve të rinj ka prekur të gjithë vendin dhe se MSH-ja duhet të hartojë politika lidhur me këtë çështje.

“Është një problem i gjithmbarshëm në tërë vendin tonë ikja e mjekëve të rinj. Edhe në këtë drejtim unë mendoj se më tepër i takon Ministrisë që ta përpilojë një strategji se si t’i ndalë këta mjekë të rinj që të mos shkojnë jashtë”, ka deklaruar ai.

Sipas të dhënave që figurojnë në uebfaqen zyrtare, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit ka rreth 150 mjekë specialistë.