Arbëri

Propaganda ruse e serbe si mjet për pengimin në integrimet euro-atlantike

Përsëritja e akuzave të Rusisë dhe Serbisë duke shpërndarë edhe informata të rrejshme po bëhet me qëllimin që të pengohet perspektiva euro-atlantike e Kosovës, kanë thënë njohës të zhvillimeve. Së fundi, Kremlini zyrtar e përfshiu Kosovën në listën ku pretendon se ia ka vrarë 69 mercenarë që po luftojnë krah Ukrainës. Institucionet e Kosovës e kanë mohuar lajmin, duke e cilësuar propagandë dhe fushatë dezinformuese të shtetit rus

Dezinformimi dhe propaganda që përdor Rusia e Serbia karshi Kosovës kanë për qëllim dëmtimin e saj në skenën ndërkombëtare. Kështu thonë njohës të zhvillimeve, duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve rusë për mercenarët nga Kosova dhe atyre serbë që dezinformojnë për kinse sulme ndaj serbëve në veri.

Njohësi i integrimeve, Demush Shasha, ka thënë se si në rastin e Rusisë, ashtu edhe të Serbisë, kemi të bëjmë me qeverisje të cilat përdorin dezinformimin dhe propagandën si instrumentet kyç për t’i ruajtur tiparet e një autokracie të konsoliduar.

“Pra, janë shoqëri ku nuk ka opozitë politike, ku nuk ka media të lira, ku nuk ka institucione të pavarura, ku nuk ka balancim të pushtetit, nuk ka shoqëri civile. Pra, në një sfond të tillë pushtetet përdorin dezinformimin dhe propagandën si mjetet kyç për të ruajtur besimin, luajalitetin e qytetarëve ndaj pushteteve respektive. Kjo është e para në nivelin e tyre të brendshëm”, ka thënë Shasha.

“Tani e njëjta reflektohet edhe në aspektin e jashtëm, vetëm shikoni qëndrimet e Rusisë karshi Kosovës. Kur ajo akuzon Kosovën se ka pasur trafikim organesh, janë trajnuar rebelë sirianë, kur thotë se Kosova po dërgon ushtarë në luftën në Ukrainë. Apo kur Serbia çdo gjashtë muaj akuzon Kosovën kur e përsërit akuzën e pabazë dhe qesharake se do të ndodhë një sulm i tmerrshëm karshi serbëve në veriun e Kosovës, kur akuzon për dëmtim të manastireve apo kur nuk e njeh masakrën e Reçakut, apo kur gënjen për gjenocidin në Srebrenicë. Pra, të gjitha këto janë elemente të një dezinformimi dhe propagandë që ka për qëllim ta dëmtojë Kosovën në skenën ndërkombëtare”.

Së fundi, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e listoi Kosovën të nëntën në Evropë, për numrin e “mercenarëve” që i janë bashkëngjitur ushtrisë ukrainase, duke pretenduar se ka vrarë 69 prej tyre. Lista është vetëm me numra derisa nuk ofrohen dëshmi të tjera rreth identitetit dhe prejardhjes së mercenarëve.

Ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, po ashtu, ka akuzuar se një pjesë e madhe e armëve anti-tank po kalojnë nëpërmjet tregut të zi në Kosovë e Shqipëri.

Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë pretendimet dhe i ka konsideruar pjesë të propagandës ruse kundër Kosovës.

“Nuk ka qytetarë të Republikës së Kosovës që luftojnë në Ukrainë. Edhe më herët i kemi hedhur poshtë pretendimet e tilla të pabaza, të cilat i konsiderojmë pjesë të propagandës ruse kundër Republikës sonë demokratike, në një përpjekje për të arsyetuar një akt të pajustifikueshëm agresioni kundër popullit të Ukrainës”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kosova ishte ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor që u bashkua me demokracitë perëndimore dhe kombet paqedashëse kundër agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës”.

Kosova ka në fuqi edhe një ligj, i cili ndalon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja.

Ai parasheh dënime me burgim prej 5 deri në pesëmbëdhjetë vjet.

“Kushdo që organizon, rekruton, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet”, thotë ligji.

Shasha ka dhënë një përgjigje se pse Rusia e Serbia në sinkron propagandojnë ndaj Kosovës.

“E bëjnë sepse një Kosovë e lirë, e pavarur, demokratike dhe e orientuar drejt strukturave euro integruese është kërcënim për politikat dhe interesat reaksionare ruse dhe serbe. Të njëjtën formë se si Ukraina e lirë, e pavarur, demokratike dhe e orientuar drejt strukturave euro integruese është kërcënim për politikat reaksionare ruse. Në të njëjtën formë edhe Kosova e lirë, e pavarur është kërcënim për politikën reaksionare të Beogradit dhe Moskës”, ka potencuar Shasha.

Që prej nisjes së agresionit mbi Ukrainën, Kremlini zyrtar ka shpërndarë informata të rrejshme dhe propagandë ndaj Kosovës. E ka bërë këtë duke mohuar edhe masakrën e Reçakut, njësoj siç kanë bërë zyrtarët serbë, si dhe duke akuzuar NATO-n për kinse agresion mbi Serbinë në vitin 1999.

Krahas disa vendimeve sanksionuese të Qeverisë së Kosovës ndaj Rusisë, Komisioni i Pavarur i Mediave i ka larguar nga transmetimi kanalet me origjinë nga Federata Ruse.

Por, ato transmetohen nga operatori MTS, i cili ka shtrirje në katër komunat të cilat popullohen me shumicë serbe.

Kosova u është bashkuar BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Po ashtu, shprehu gatishmëri për të ndihmuar 20 gazetarë ukrainas që të punojnë në Kosovë, si dhe për t’i pranuar deri në 5 mijë refugjatë ukrainas. Aktualisht gjashtë gazetarë ukrainas janë duke punuar në Prishtinë.

Në anën tjetër, Serbia është ndër shtetet e pakta që refuzoi të rreshtohet krah Perëndimit në vendosjen e sanksioneve. Madje presidenti i këtij shteti, Aleksandër Vuçiq, deklaroi së fundi se i gjithë Perëndimi po lufton kundër Rusisë dhe se këtë po e bën nëpërmjet Ukrainës.

“Lini mënjanë historitë se është një luftë lokale, e gjithë bota perëndimore është në luftë kundër rusëve përmes ukrainasve. Ka ndryshime të mëdha edhe në këtë fushë”, ka thënë ai.

Sipas tij, shumëkush pret që pjesëloja e dytë e luftës që ka nisur në Ukrainë të vazhdojë edhe në Ballkan.