Arbëri

Mbrojtja e të akuzuarve në Hagë kërkon seanca katër ditë në javë

Në parashtresën drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake lidhur me parashtrimet për konferencën e 13-të, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka propozuar që kur të fillojë gjykimi seancat të zhvillohen katër herë në javë.

Njëjtë ka kërkuar edhe mbrojtja e Hashim Thaçit e Kadri Veselit për katër herë në javë seanca.

Në parashtresë, thuhet se për qëllime të planifikimit, mbrojtja nuk beson se është realiste të parashikohet që të ketë seanca pesë herë në javë.

“Do të nevojitet kohë për përgatitje gjatë procesit të gjykimit, jo më pak për shkak të nevojës për të hetuar dhe përgatitur për provat e një numri të konsiderueshëm dëshmitarësh të zbulimit të vonuar, identiteti i të cilëve do të zbulohet 30 ditë përpara gjykimit ose gjatë gjykimit. Përvoja tregon se mocionet me shkrim do të dorëzohen shpesh gjatë gjykimit dhe do të kërkojnë kohë që palët dhe pjesëmarrësit të përgatiten dhe të përgjigjen, dhe që Paneli të vendosë”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.

Prandaj, thuhet se mbrojtja propozon paraprakisht që orari i gjykimit duhet të caktohet në 4 ditë seanca në javë, nga e hëna në të enjte, me të premten të jetë një ditë pa seancë dhe me një numër të caktuar ditësh shtesë në muaj të përcaktuara si ditë pa seanca.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë./ betimipërdrejtësi