Arbëri

Grenell: Thaçi më i mirë se Kurti, evropianët nuk duhej ta vendosnin në Hagë

Descriptive Text

Ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka folur sërish për Kosovën dy ditë pasi preku një sërë temash për të para studentëve në Beograd.

Të premten, Grenelli ka krahasuar udhëheqësit me ish-udhëheqësit e vendit. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk është lider i mirë, por të tjerë kanë qenë të mirë, shkroi Politika.rs. 

Ai veçoi një emër. Tha se Hashim Thaçi nuk duhej dërguar në Hagë, pasi në kohën e tij u bë më shumë progres.

“Nuk mendoj se ai është lider i mirë për popullin e Kosovës, liderët e tjerë ishin më të mirë. Nuk është vetëm mendimi im, besoj se qeveria aktuale amerikane e sheh po ashtu kështu. Kujtoni se ai shkoi në Washington, ai as nuk arriti në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk u fut brenda. Ai ishte anash rrugës me stafin e administratës. Kjo nuk mund të ndodhte nën Trumpin. Ne do të organizonim takime të nivelit të lartë dhe do të dërgonim mesazhe të forta dhe të qarta. Vetëm kujtoni se Kurti refuzoi ta aprovojë gazsjellësin, dhe Kosova ka nevojë për energji. Kjo nuk ka kuptim”.

“Evropianët nuk duhej ta vendosnin Hashim Thaçin në Hagë. Njerëzit e Kosovës, nëse ata dua të ecin përpara, e dinë se ne bëmë më shumë progres kur Thaçi ishte president.

Ai ka thënë se nuk e sheh procesin e dialogut të shkojë gjëkundi nën iniciativën e Bashkimit Evropian.

Dy ditë më parë, 13 korrik, Grenelli gjatë fjalimit para studentëve fajësoi Kurtin dhe BE-në për dështimin në arritjen e marrëveshjeve Kosovë-Serbi.

Ai tha se KFOR-i duhet të tërhiqet nga Kosova pasi “në këtë mënyrë po e zgjat konfliktin”, pastaj se “dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli ku përmendet njohja e pavarësisë së Kosovës nuk e zgjidh problemin”.