Arbëri

Kryetari i Turoperatorëve në Shqipëri: Turisti kosovar, kyç

Descriptive Text

Kryetari i Shoqatës së Turoperatorëve në Shqipëri, Kliton Gërxhani, deklaroi të mërkurën se qeveria e Shqipërisë duhet të ketë strategji të veçantë për turistët kosovarë, pasi sipas tij, kosovarët e përbëjnë shumicën dërmuese të turistëve gjatë verës.

Ai tha në Interaktiv të KTV-së, se heqja e kufirit për sezonin e verës nga Kosova e Shqipëria është hap i parë i rëndësishëm, por që kjo duhet vazhduar.

“Turizmi kosovar është thelbësor për ne në Shqipëri. Turisti kosovar ngelet më i madhi në numër për pushimet verore. Gjatë gjithë vitit ka miliona hyrje-dalje në Shqipëri. Është një treg me rëndësi që duhet gjykuar. Shqipëria të ketë strategji të veçantë për turistët kosovarë. Heqja e kufirit për kosovarët është hap i mirë, të vazhdohet dhe mundësisht të bëhet i përhershëm. Ndalesa krijon një pakënaqësi, vonesa, pritje , nuk është aspak e këndshme. Nëse politika do e bënte të përhershme do të na lehtësonte shumë”, deklaroi Gërxhani.

Sipas tij, sivjet turizmi është më i konsoliduar sesa vitin e kaluar, ndonëse tha se kriza pandemike dhe lufta në Ukrainë, ka ndikuar që të ketë rritje çmimesh.

“Turizmi sivjet ka mungesë të personelit, pasi për shkak të pandemisë nuk arritëm t’i mbanim të gjithë në punë. Nuk do të thosha që ka krizë të turisteve në Shqipëri, mund të ketë rënie në periudha të caktuara, ngritje. Nëpër fundjava ndikohet nga moti i keq, por turizmi botëror ka një ndikim prej luftës në Ukrainë. Kjo si kudo, ka sjell rritje çmimesh. Në turizëm bizneset kanë mundur ta thithin këtë rritje të kostove. Edhe nëse ka rritje tek-tuk, nuk mendoj se është faktor kryesor për të mos vizituar vendin”, deklaroi kreu i shoqatës.

Sipas tij, edhe Kosova duhet t’i shfrytëzojë asetet e saj në turizëm, në mënyrë që shtetasit e Shqipërisë, ta vizitojnë Kosovën pas verës.

“Qeveria e Shqipërisë e ka më lehtë punën. Ka potencial të madh, i ngelet më pak të bëjë. Ajo ka edhe pjesën kulturore. Qeveria e Kosovës të mendojë më shumë të tërheqë më shumë nga tregu i Shqipërisë dhe t’i shfrytëzojë mundësitë e saj”, tha ai, duke i përmendur qendrat e skijimit në Kosovë, që gjatë stinës së dimrit janë mundësi e mirë për shtim të turistëve.

Gërxhani shtoi se Shqipëria ia ka borxh Kosovës që t’i sjellë turistë, ashtu si kosovarët shkojnë verës në plazhet e Shqipërisë.

“Ajo që neve na bën Kosova gjatë verës, duhet t’ia kemi për borxh. Kosovës duhet t’ia kthejmë këtë të mirë. Kam më pak besim të politika, por më shumë te biznesi privat. Kur ne jemi bashkë, politika vjen”, tha tutje ai.

Sipas Gërxhanit, në Shqipëri ka shtim të turistëve serbë. Serbëve, Gërxhani tha se plazhet shqiptare ua hapën “dyert e dritaret e iu ofruan çmime të volitshme”.