Arbëri

Kika për vrasjen e Kujtim Veselit: Institucionet s’kanë interesim t’i hetojnë përgjegjësit

Avokatja për të drejtat e njeriut, Rina Kika, bashkë me aktivistë të tjerë të cilët kërkojnë drejtësi për Kujtim Veselin, 11-vjeçarin i cili u dhunua seksualisht për muaj me radhë e më pas u vra, kanë dorëzuar dy ankesa ndaj zyrtarëve përgjegjës, që sipas tyre kanë neglizhuar rastin e tij.

Kika ka thënë se persona përgjegjës kanë mundur ta parandalonin vrasjen e Kujtimit, por nuk e kanë bërë këtë.

“Në rastin e Kujtimit, këtij personi (Sefedin Osmani) iu ka mundësuar një veprim i tij për shkak të mosveprimit të shtetit pasi personat përgjegjës për parandalimin e dhunimit të përsëritur të Kujtimit nuk i kanë ndërmarrë veprimet që është dashur t’i ndërmarrin dhe kjo është mundësim për një vrasës që të kryejë krime. Nëse institucionet nuk i marrin mësimet si të trajtohen rastet e tilla, atëherë kjo është formulë për përsëritje të rasteve të tilla”, ka thënë ajo.

Kika në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, të mërkurën, tha se në padi ka paraqitur dështimet në mbrojtjen e një fëmije. Ajo tha se shteti duhet të mbahet përgjegjës edhe për një shkelje tjetër sa i përket vrasjes së Kujtimit.

“Kam konkluduar se shteti i Kosovës duhet të mbahet përgjegjës edhe për shkelje të lirisë nga tortura për Kujtimin sepse po flasim për një fëmijë që është dhunuar sistematikisht dhe për muaj nga një person, shteti ka qenë i njoftuar për rrezikun ndaj fëmijës, që jeton në kushte të vështira, dhe të gjithë faktorët janë që e shtojnë përgjegjësinë e shtetit për parandalim, dhe në rastin e Kujtimit nuk e kemi pas asnjë prej këtyre veprimeve. Në janar nuk është intervistuar i dyshuari kryesor, është intervistuar Kujtimi në prezencë të nënës, ka pasur prova që të ndërmerren masa ndaj personit. Ky e ka pranuar fajësinë në prill 2019 dhe është jashtë çdo logjike si është e mundur që deklaron se e ka dhunuar një fëmijë dhe lirohet prej stacionit policor. Policia duhet të reflektojë se po i jep mesazh atij personi që është në rregull ajo çfarë ka bërë”, tha ajo.

Ankesa është bërë ndaj zyrtares policore, e cila në janar 2019 në raportimin fillestar të keqtrajtimit seksual të Kujtimit, nuk e kishte dorëzuar me rregull raportin policor në prokurori. Kika tha se ajo ka penguar të bëhet një reagim nga institucionet që do të mund ta parandalonte vrasjen.

“E çuditshme është se zyrtarja policore thotë se jo nuk e kam dorëzuar raportin policor dhe policia nuk merret me këtë zyrtare pse nuk e ka raportuar rastin”, tha ajo.

Më befasuese për Kikën është se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë edhe shumë lidhur me rastin.

“Jam trondit nga rasti dhe për mua ka qenë shumë e rëndësishme me pa cila është përgjigja e shtetit, çka bëjmë ne tash si shtet që t’i kundërpërgjigjemi një rasti të tillë dhe të sigurohemi se një rast i tillë të mos ndodhë më kurrë. Befasuese ka qenë se nuk ka ndodhë shumë”.

Image

Denoncimi i dytë është bërë ndaj prokurores përgjegjëse, e cila e ka proceduar kërkesën për urdhërarrest të vrasësit.

“Ne vendosëm që meqë institucionet nuk kanë interesim t’i hetojnë këta persona, ne i bëjmë dy denoncime. Denoncimi i dytë është ndaj prokurores përgjegjëse që ka qenë përgjegjëse gjatë kohës kur Kujtimi është vra dhe dhunu. Është një kërkesë për lëshimin e urdhërarrestit 12 qershor 2019, një muaj para se të vritet Kujtimi. Kjo kërkesë nëse do të shkonte në gjykatë do të kishte qenë mbrojtje për prokuroren sepse i kishte kryer përgjegjësitë e veta, por gjykata thotë se kërkesa është e paprotokoluar dhe nuk është pranuar asnjëherë nga gjykata”.

Më 11 korrik 2019, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen “Xhemail Mustafa” në Fushë-Kosovë, ishte gjetur i vdekur 11-vjeçari Kujtim Veseli. Ai u dhunua seksualisht dhe pastaj u vra.