Arbëri

12 ditë pa radioterapi, pacientët me kancer në pritje të marrëveshjes me Shqipërinë

Janë bërë gati dy javë prej kur 233 pacientë me kancer në Klinikën e Onkologjisë kanë mbetur pa radio-terapi. Derisa drejtori i Onkologjisë ka bërë të ditur se është gati lista me pacientë që do t’i dërgohet Ministrisë së Shëndetësisë, në MSH thonë se janë në komunikim të drejtpërdrejtë me homologët e tyre në Shqipëri, ku këta pacientë pritet t’i nënshtrohen trajtimit.

Ka gati dy javë që pacientët me kancer në Klinikën e Onkologjisë kanë mbetur pa terapi, tek presin institucionet t’u bëjnë zgjidhje për marrjen e radio-terapisë.

Drejtori i kësaj klinike ka treguar për rëndësinë e kësaj terapie ditore të pacientëve, të cilën e kanë në mungesë, prej kur pati vërshime të mëdha.

“Është një prej pjesëve të trajtimit të kancerit pas kimioterapisë, trajtimit me imunoterapi hormonale, forma të tjera të terapisë, edhe rrezatimi është një prej formave të trajtimit të kancerëve. Dhe, te disa stade është i domosdoshëm trajtimi, varësisht prej asaj çfarë planifikohet prej specialistit, varësisht prej seancave, dozës dhe gjitha këto. Por, prapëseprapë po them që ekziston mundësia, edhe pse kanë humbur disa seanca, modifikimi i dozës te këta pacientë, për ta arritur efektin e duhur radio-biologjik dhe të mos ketë pasoja në shëndetin e tyre”, ka thënë drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ardian Millaku.

Ai ka bërë të ditur se lista e pacientëve është proceduar, tek ka shfaqur shpresën që ata të thirren sa më shpejtë në trajtim.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se janë në pritje të finalizimit të kësaj liste.

“Instituti i Onkologjisë, me autorizim të Ministrisë së Shëndetësisë, është në komunikim të drejtpërdrejtë me MSH të Shqipërisë dhe MSH-ja pret që sot të finalizohet lista e pacientëve që do të dërgohen në Shqipëri për marrjen e tretmanit me radioterapi”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Përkitazi me mundësinë që ua ofron pacientëve udhëzimi administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, për të aplikuar edhe në mënyrë individuale kur shërbimi i caktuar nuk ofrohet në institucionet publike, MSH-ja dhe drejtori i Onkologjisë kanë qëndrim të njëjtë.

“Mënyra e organizuar dhe në bashkëveprim midis dy ministrive është mënyrë më e sigurt për të siguruar shërbimet e nevojshme. Për detaje të tjera teknike e logjistike, dakordohen dy ministritë respektive, në bashkëpunim edhe me SHSKUK-në”, kanë thënë nga MSH-ja.

“Kjo është çështje e përgjithshme, është gjendje e jashtëzakonshme dhe si rezultat i kësaj, ne do të bëjmë zgjidhje për të gjithë, varësisht prej asaj që do të kemi marrëveshje me bordin e SHSKUK-së dhe Ministria e Shëndetësisë, të bëjmë zgjidhje për të gjithë, jo në mënyrë individuale, por për të gjithë që duhen trajtuar, edhe ata që janë në listë të pritjes”, ka deklaruar Millaku.

Në Onkologji kanë thënë se ende nuk ka raport zyrtar nga kompania që e bën mirëmbajtjen e aparaturave për dëmet që janë shkaktuar.