Arbëri

Ministri i Kosovës përcjell mesazhe të Serbisë në Gjilan

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të martën nuk është lejuar të hyjë në Kosovë. Petkoviqi, kishte planifikuar të merrte pjesë në përurimin e një sheshi në Komunën e Gjilanit, ndërtimin e të cilit e mundësoi Zyra që ai drejton. Por në ceremoni, nuk mungoi ministri i Qeverisë Kurti, Goran Rakiq. Aty, ministri i Qeverisë së Kosovës përcolli mesazhet e Qeverisë së Serbisë

Mesazhe të Qeverisë së Serbisë ka çuar të martën në një fshat të Gjilanit ministri për Kthim dhe Komunitete i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiq.

Ato i ka përcjellë në ceremoninë e përurimit të një sheshi me mërin “Serbia”, në fshatin Kufcë e Epërm, punimet e të cilit janë financuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Petar Petkoviq, shef i kësaj zyre, ishte paralajmëruar që të merrte pjesë në ceremoninë e përurimit. Por, ka munguar. Kjo, për shkak se Qeveria e Kosovës nuk i ka dhënë leje për hyrje.

E Goran Rakiq, ministër i vetëm serb në Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti dhe kryetar i Listës Serbe, ua ka përcjellë banorëve të fshatit Kufcë e Epërme mesazhin e zyrtarit qeveritar të Serbisë, Petar Petkoviq.

Rakiq ka paralajmëruar se Petkoviq do të jetë në Kosovë të mërkurën.

“Do të doja që në emër të shefit të Zyrës, Petar Petkoviq, t’ju kërkoj falje që ai nuk ndodhet fizikisht sot këtu. Kam marrë informatën që qysh nesër ai do ta marrë lejen për ta vizituar komunën tuaj dhe shpresoj që nesër të jetë këtu”, ka thënë Rakiq.

Ministri për Komunitete dhe Kthim u ka premtuar banorëve serbë të këtij fshati të Gjilanit, edhe investime të tjera, pa saktësuar nëse ato do të jenë të Qeverisë së Kosovës apo të Serbisë.

“Të jeni të bindur se sot në bisedë me kryetarin e Komunës kam dëgjuar se cilat janë nevojat e komunës suaj dhe nuk do të ndalemi, pasi që po e shohim se ju keni nevojë për shtëpi të kulturës e sallë të sportit, kështu që të jini të sigurt se do të punojmë që ju t’i siguroni edhe ato”, ka thënë Rakiq, pa saktësuar nëse e kishte fjalën për takimin me kryetarin e Komunës së Gjilanit, apo me atë që përfaqëson strukturat ilegale të Serbisë në këtë komunë.

Ndërkaq, pas refuzimit të kërkesës për të hyrë në Kosovë, Petkoviq ka thënë se hyrja i është pamundësuar me arsyetimin e “disa gabimeve teknike”, e të cilat i ka vënë në diskutim.

“Është goxha e çuditshme sesi përherë bëhet fjalë për ndofarë gabimesh teknike, kur janë në pyetje serbët dhe përfaqësuesit e Beogradit”, ka thënë Petkoviq, i cili bëri të ditur se për mosdhënien e lejes nga Kosova ka njoftuar Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të QUINT-it.

“Andaj unë e kam dërguar një njoftim të ri dhe nesër do të vij përsëri, në të njëjtën kohë, këtu në Konçul dhe do të shoh në rast se do të bëhet fjalë për një gabim teknik të ri apo se është fjala vetëm për vullnetin e Albin Kurtit, i cili dëshiron që në çdo mënyrë t’i shkelë të gjitha marrëveshjet dhe ta rrënojë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Petkoviqi.

Ai përveç pjesëmarrjes në përurimin e sheshit në Kufcë të Epërme, kishte planifikuar që të vizitonte edhe Zveçanin e Leposaviqin.

“Doja të takohesha me njerëzit tanë, të bisedoja me ta për të gjitha problemet dhe që të shihnim se në çfarë mënyre do të mund t’i zgjidhnim të gjitha problemet e tyre, t’i vizitoja disa familje që janë me ndihma sociale”, ka thënë ai. “Nëse Kurti sillet kësisoj karshi kryenegociatorit në dialog, nëse mua, kundruall të gjitha marrëveshjeve dhe ujdive më ndalohet hyrja në territorin e Kosovës dhe Metohisë, atëherë e keni të qartë sesi Prishtina sillet karshi popullit serb në Kosovë e Metohi, të cilët secilën ditë vuajnë për shkak të terrorit të Albin Kurtit”.

Lidhur me mosdhënien e lejes për Petar Petkoviqin, pyetjeve të KOHËS, nuk u janë përgjigjur institucionet kosovare.

Në fund të muajit të shkuar, Qeveria e Kosovës ka miratuar dy vendime që kanë ngjallur reagime në Serbi: vendimin për aplikim të reciprocitetit në dokumentet e identifikimit që i lëshon Serbia, si dhe vendimin për riregjistrim në Kosovë të të gjitha veturave me targat e qyteteve në Kosovë, të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë.

Pas kësaj, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është krijuar një “situatë e re” që i ka ndryshuar “planet dhe temat” e vizitës së tij të asaj kohen në rajon.

Pas vendimit të Qeverisë Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë se dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë.

“Kemi një ndryshim të plotë të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe në Serbi, e veçanërisht në Kosovë”, ka thënë Vuçiqi, dhe pati paralajmëruar se përgjigjja e Serbisë ndaj vendimeve do të jetë vdekjeprurëse.