Arbëri

Hyseni: Teleskopi i NASA-s na sjell imazhe të miliarda viteve më parë

Descriptive Text

Astronomja nga Kosova, Pranvera Hyseni, ka shpjeguar imazhin e publikuar të martën nga teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s, imazh ky i një grupi galaktikash që sjell pamjen më të detajuar të universit të parë ndonjëherë.

Hyseni, e cila është kandidate për PhD në shkenca planetare në Kaliforni, ka thënë, në emisionin “60 Minuta” në KTV, se pamja tani lejon të shpjegohen trupat edhe më të vegjël që ekzistojnë në hapësirë.

“Ky imazh na tregon pjesën më të thellë të universit. Nëse e shihni, vëreni që ka një numër të madh galaktikash. Të vetmet objekte që janë pjesë e galaktikës sonë janë yjet që duken në imazh kurse galaktikat tjera janë krejt sisteme të tjera që nuk janë pjesë e galaktikës sonë. Interesante është efekti i lentave gravitacionale që është efekt që njihet kur në mes të vëzhguesit dhe një objekti në sfond ndodhet një fushë gravitacionale që bëhet përputhja e dritës; kur ne shohim një objekt në sfondin e një objekti tjetër që ka gravitetin shumë të madh, drita e këtij objekti do të përkulet dhe do rritet në shkëlqimin e tij që na lejon ne të shpjegojmë trupat edhe më të vegjël”, ka thënë ajo.

Hyseni ka thënë se efekti i lentave gravitacionale, tani i parë me teleskopin James Webb, ishte parashikuar një shekull më parë. Tha se për astronominë, “ky është një hap jashtëzakonisht i madh”.

“Ky efekt është parashikuar nga Albert Ajnshtajn para 100 vjetëve por tek tash po kemi rastin ta fotografojmë dhe ta shohim si po duken këto me një teleskop”.

Hyseni theksoi se për shkencëtarët imazhi i ri është dritare për shkak të detajeve që sjell.

“Është dritare e re sepse teleskopi James Webb na lejon të shikojmë në një gjatësi valore dhe diametri i teleskopit është shumë i madh që na lejon të shohim objekte qiellore deri në largësi shumë të mëdha që janë me vite drite larg”.

Hyseni shpjegoi se galaktikat që shihen në imazh shihen si kanë qenë në fillimet e tyre dhe se për të parë si duken galaktikat e sotme, ajo tha se duhet të kalojnë miliarda vite drite.

“Këto galaktika që po i shohim mund të jenë krejt ndryshe nga ajo siç janë sot, por ne po i shohim siç kanë qenë në fillimet e tyre të zhvillimit dhe krijimit. Është interesant të shihet sepse mund të mësojmë shumë për të ardhmen duke e parë të kaluarën”.