Arbëri

Ramadani: Koronavirusi ende i pranishëm, mund të ketë sërish valë të infektimit

Infektologu Hamdi Ramadani deklaroi se pandemia e COVID-19, ende është pranishme në botë, e sipas tij, Kosova ditëve të ardhshme, mund të regjistrojë rritje të rasteve me të infektuar me koronavirus.

Ramadani deklaroi në “60 Minuta” të KTV-së të hënën se ardhja e bashkatdhetarëve në Kosovë si dhe organizimi i ahengjeve familjare, sidomos në ambiente të mbyllura, do të ndikojnë në rritjen e rasteve em COVID-19.

“Në vendin tonë tash e tri javë është rritur ndjeshëm numri i rasteve pozitive. Në javën e fundit edhe më shumë. Është një situatë jo e mirë që vendi ynë në do të vazhdojë me rritjen e rasteve pozitive. Ardhja e madhe e qytetarëve nga jashtë, e me ardhjen e tyre paraqiten tubimet, ceremonitë e dasmat”, deklaroi ai.

Ramadani shto se faktor i dytë kyç në rritjen e rasteve pozitive me COVID-19 është mosvaksinimi në masë të duhur i qytetarëve.

“Faktori i dytë është për fakti se në vendin tonë nuk është arrit një imunitet në masë apo i konsiderueshëm. Pandemia dhe koronavirusi i ka problemet e veta. Probleme i ka bërë edhe shkencës por edhe qytetarëve. Ne e kemi një vaksinim me 1 dozë, me diku 1 milion të vaksinuar, e me 2 doza diku 800 mijë qytetarë. Vaksinimi me një dozë edhe i pamjaftueshëm, e me dy doza deri diku”, deklaroi Ramadani, duke shtuar se marrja e dozës së tretë të vaksinës në Kosovë është shumë e ulët.

“Duhet të fokusohemi sepse pa marrjen e dozës së tretë, dy doza nuk e mbrojnë qytetarin nga COVID-19. Ai qytetar do të paraqesë infeksion në një interval kohor pas 6 muajsh. E kemi për detyrë që qytetarët ta marrin dozën e tretë. Pandemia ende nuk ka kaluar, shumë mendojnë se ka kaluar. Është një painteresim i madh i qytetarëve për të marrë vaksinën”, shtoi ai.

Infektologu kosovar potencoi se imuniteti natyral i personave të pavaksinuar mund të zgjasë deri në 9 muaj, por që më pas, sipas tij, vaksinimi është i domosdoshëm.

“Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, diku mbi 220 mijë qytetarë e kanë kaluar sëmundjen. Por edhe kjo mënyrë e kalimit të sëmundjes me rrugë natyrale nuk mbron më shumë se disa 7-9 muaj. Nëse kalon koha, edhe ky grup do të sëmuret ose riinfektohet sepse nuk fiton imunitet solid organizmi”, deklaroi tutje Ramadani.

Ai theksoi se mundësia e paraqitjes së një vale të re të përhapjes së pandemisë në Kosovë është e madhe.

“Pres që në javët e ardhshme të ketë rritje rastesh, sidomos kur organizimet po bëhen në ambiente të mbyllura”, deklaroi tutje ai.

Për përhapjen e lisë së majmunit, Ramadani theksoi se kjo është e mundshme të ndodhë edhe në Kosovë, ndonëse deri më tani nuk ka pasur raste të konfirmuara.

Sëmundja lija e majmunit është sëmundje e re në Evropë e SHBA, por në aspekt historik është sëmundje e viteve të 70-ta. Meqenëse mbi 40 shtete kanë regjistruar raste, edhe në vendin tonë është e mundshme që të regjistrohet sëmundja e lisë së majmunit . Lija e majmunit është konsideruar si sëmundje e moderuar”, tha ai.

Ramadani tha ndër të tjera se gjatë verës, qytetarët mund të preken ngas disa sëmundje, ndër to është gripi veror.

“Në popull njihet si gripi veror. Tash për tash nuk ka raste, por mundësia e paraqitjes të këtyre rasteve është e mundshme. Duhet një kujdes i familjeve dhe ushqimet që konsumohen, duhet të ruhen me kujdes sepse prishja e tyre është e mundshme dhe një ushqim i kontaminuar do të paraqesë situata të ndryshme”.