Arbëri

Qeveria në pritje të ftesës për takimin Kurti - Vuçiq

Ende nuk ka diçka zyrtare në lidhje me paralajmërimet për një takim në muajin korrik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq. Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e përjashton këtë mundësi në pjesën e dytë të muajit korrik.

Nga Qeveria e Kosovës thonë se janë në pritje të ftesës për takim.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi, thotë se një takimi Kurti – Vuçiq do të duhej t’i paraprinte ai i kryenegociatorëve.

“Është folur nëpër takime të ndryshme mundësia për takim të kryenegociatorëve dhe pastaj edhe të krerëve shtetërorë, kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. Mirëpo ende nuk ka ftesa zyrtare. Nëse do të ngjajnë këto takime, ato do të jenë në gjysmën e dytë të korrikut. Kjo varet nga ndërmjetësuesit në Bruksel, z. Borrell dhe z. Lajçak”, u shpreh ajo.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se “për datën dhe agjendën e takimit do të njoftojnë kur do të jetë e nevojshme”.

Takim Kurti-Vuçiq gjatë muajit korrik, pret edhe njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci.

Ai thotë se përkundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, s’ka arsye të forta për t’u ndalur dialogu.

Optimist për takimin mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, u shpreh edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, javën e kaluar në forumin e Dubrovnikut. Paralajmëroi se janë disa marrëveshje ndërmjet dy vendeve gati për t’u nënshkruar.

Pas arritjes së marrëveshjes për energjinë më veri, u paralajmërua se shumë shpejt mund të ndodhë takimi i nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi. Mirëpo, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për letërnjoftim dhe për largim të targave ilegale serbe në vend, presidenti serb, Vuçiq, tha se “dialogu ka vdekur”.

Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut të Brukselit janë takuar dy herë. Një takim joformal e kanë pasur muaj më parë në Berlin. /ksp